Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) thotë se nuk është kompetente për të shfuqizuar konkursin për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të servisit publik në kushte kur mandati i anëtarëve të Këshillit Programor ka u skaduar.
“Ne nuk jemi kompetent për ta shfuqizuar konkursin për zgjedhje të anëtarëve të rinj të Bordit Mbikëqyrës të RTMV-së, ajo është kompetencë e Këshillit Programor të RTMV-së. Sipas të gjitha gjasave reagimi i ShGM-së ka qenë deri te Këshilli Programor dhe jo deri te ne”, tha për Portalb.mk, drejtori i ASHMAA-së, Zoran Trajçevski.
Dje ShGM kërkoi nga Komisioni që të mbajë mbledhje urgjente dhe të zgjedhë kandidatët më të përshtatshëm për Këshillin Programor, si dhe për Këshillin e AShMAA-së në mënyrë që të mundësojë fillimin e reformave mediatike në këto dy institucione.
Mandati i Këshillit Programor skadoi në dhjetor në vitin 2019 dhe për këtë arsye ShGM vlerëson se është problematike që ato t’i zgjedhin anëtarët e ri të Bordit Mbikëqyrës i cili ka për detyrë të kontrollojë punën materiale dhe financiare të servisit publik në vitet e ardhshme. Përveç skadimit të mandatit, disa prej anëtarëve në Këshillin Programor gjithashtu kanë konflikt interesi sipas ligjit dhe kjo paraqet një problem shtesë për vendimet e këtij organi.
Përkujtojmë se zgjedhja e anëtarëve të ri në Këshillin Programor është bllokuar për gati një vit në Komisionin e Zgjedhjeve dhe Emërimeve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. ShGM në disa raste kërkoi që anëtarët e këtij Komisioni të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të zgjedhin anëtarët e ri të Këshillit Programor.