Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës Damjan Mançevski në intervistë për portalin “Prizma” thotë se në partinë në pushtet LSDM ka disponim për shfuqizuar plotësisht reklamat zgjedhore, për përgatitjen e së cilës partitë politike marrin fonde nga buxheti i shtetit. Mançevski tha se, megjithatë, ky ndryshim nuk mund të bëhej para këtyre zgjedhjeve, sepse Kodi Zgjedhor nuk mund të ndryshohet pak para votimit.
– Ideja është që të braktiset plotësisht kjo pjesë, ku fushata financohet drejtpërdrejt nga buxheti, sepse kjo i shkakton shumë probleme edhe KSHZ-së – thotë Ministri Mançevski në intervistën për “Prizma”.
Nga buxheti i shtetit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për reklamim të paguar politik, do të ndahen 3.6 milionë euro, të cilat do të shpërndahen për partitë më të mëdha dhe më të vogla politike nga qeveria dhe opozita. Sipas versionit përfundimtar të Regjistrit të radiodifuzerëve, të mediave të shtypura dhe elektronike (internet portalet) të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), 44 stacione televizive, 52 stacione radiofonike, 12 media të shtypura dhe 230 internet portale do të përfshihen në konkursin për këto fonde, ose gjithsej 338 media.
Çështja e reklamimit të paguar politik në kurriz të shtetit u aktualizua përsëri pasi vendi u godit nga epidemia e koronavirusit, e me atë muajt e fundit shkaku i krizës me koronën është shënuar rënie në anën e të ardhurave të buxhetit të shtetit. Ministri Damjan Mançevski pretendon se me dekretin e qeverisë tashmë janë ulur me 80 përqind të burimeve financiare të destinuara për partitë politike përmes financimit vjetor të tyre nga buxheti i shtetit.
Zemërimi më i madh në mesin e komunitetit të gazetarëve për reklamat politike me pagesë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare u shkaktua nga numri i madh i portaleve në internet që aplikuan për reklama parazgjedhore. Disa prej tyre ishin plotësisht të panjohura për publikun maqedonas, ndërsa disa prej tyre u themeluan, në kuptimin e plotë të fjalës, vetëm para shpalljes së thirrjes nga KSHZ për mediave, të cilët janë të interesuar të transmetojnë reklama politike të paguara për zgjedhjet e ardhshme. Shuma maksimale që një portal mund të fitojë nga një bartës i listës së kandidatëve mbi këtë bazë është e kufizuar në 15 mijë euro.