Ministria e drejtësisë është në proces të hartimit të ndryshimeve të Ligjit për përgjegjësi civile për ofendim dhe shpifje (LPCOSH), ndërsa Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sot organizoi një webinar me ekspertë dhe gazetarë në funksion të konsultimit për hartim të zgjidhjes ligjor të ardhme më të mirë.
Webinarit në temë “Tendencat e reja në kontekstin vendor dhe rajonal në legjislacionin për shpifje dhe ofendim” (PJESA 2), iu drejtua edhe kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski. Ai përmendi që sot ka rreth 35 padi për ofendim dhe shpifje ndaj gazetarëve para gjykatave në vend. Kryetari i SHGM-së theksoi se ata shpesh apelojnë në gjykata që dënimet për gazetarët të jenë minimale.
Ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska, theksoi në webinarin e sotëm se në përgatitjen e ndryshimeve të ardhshme në LPCOSH do të përfshihen shoqatat e gazetarëve dhe ekspertët. Ajo sqaroi se koncepti i ministrisë është se nuk duhet të ketë gjoba të shumë të larta.
“Dënim që do të jetë simbolik, si satisfaksion personal i atij, drejta e të cilit është shkelur me një ofendim dhe shpifje të caktuar, por jo dënim që do të thotë dekurajim të lirisë së fjalës”, deklaroi Deskovska.
Lidhur me dënimet, gjyqtarja Mirjana Llazarova-Trajkovska u ndërlidh me ministren dhe sqaroi se ka vende evropiane që ende e kanë mbajtur përgjegjësinë penale për ofendim dhe shpifje, siç janë Franca dhe Greqia. Ajo theksoi se megjithëse ofendimi dhe shpifja në Francë janë pjesë e procedurave penale, atje shumë pak shqiptohen dënime të larta.
“Atje mund të shihni një numër të madh të rasteve kur është shqiptuar gjobë prej 1 euro. Gjoba duhet të jetë simbolike. Mesazhi duhet të jetë përçimi i standardeve dhe parimeve në drejtim të mbrojtjes së atyre, të drejtat e të cilëve janë shkelur nga ofendimi dhe shpifja”, tha gjyqtarja Llazarova-Trajkovska.
Avokati Igor Markovski, në kuadër të këtij webinari dha vërejtje për ligjin aktual. Një nga problemet që ai theksoi ishte se kallëzimet për ofendim dhe shpifje për të cilat ngritën procese gjyqësore që nuk janë urgjente, gjë që bën që gazetarët e ndjekur të jenë të ekspozuar ndaj proceseve të gjata dhe kostove të larta gjyqësore.
“Kohëzgjatja mesatare e proceseve gjyqësore është nga një vit e gjysmë në dy vjet, që do të thotë se këto procese përfundojnë shumë ngadalë”, konstatoi avokati Markovski.
Ai propozoi krijimin e departamenteve të veçanta gjyqësore për këtë temë, në të cilat do të përfshihen gjyqtarë praktikues të cilët urgjentisht do t’i përfundonin procedurat gjyqësore për ofendim dhe shpifje.
Elida Zylbeari, redaktore e përmbajtjeve në gjuhën shqipe të projektit “Me opinion kritik për qytetarë me Aftësi Mediatike – KriThink”, theksoi që ajo beson në vetë-rregullimin e mediave dhe kontrollimin e fakteve, si dhe edukimin e vazhdueshëm të gazetarëve dhe punonjësve të mediave në këtë drejtim.
“Një nga qëllimet e KriThink është rritja e aftësive të vetë mediave, të përballen me manipulimet e mediave duke përmirësuar shkrim-leximin mediatik, në bashkëpunim me institucionet shtetërore.”Me mënyrën e analizimit të artikujve për media, para së gjithash u sqarojmë gazetarëve dhe qytetarëve procesin e saktë të bërjes së lajmeve. Ne nuk i etiketojmë mediat, por metodologjia jonë është të nxjerrim në pah tiparet e këqija të një teksti që, le të themi, meriton një kallëzim”, tha redaktorja Elida Zylbeari.
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media”të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.