Pjesa më e madhe e institucioneve në vend nuk e respektojnë afatin ligjor prej 20 ditësh për t’iu përgjigjur kërkesës për qasje të lirë tek informatat me karakter publik, tregon “Indeksi i transparencës aktive 2020” i Qendrës për komunikime qytetare. Për nevojat e këtij raporti, Qendra për komunikime qytetare ditën e njëjtë kanë dërguar pyetje identike në formë të kërkesës për qasje tek informatat me karakter publik në komunat dhe ministritë e vendit, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.
Institucionet mesatarisht janë përgjigjur brenda 25 ditësh kërkesave të parashtruara, megjithëse afati maksimal ligjor është 20 ditë. Mesatarisht, komunat janë përgjigjur brenda 24 ditësh ndonjë kërkese për qasje të lirë tek informatat, kurse ministritë brenda 26 ditësh. Madje 60 përqind e institucioneve e kanë shkelur afatin ligjor të përcaktuar në Ligjin për qasje tek informatat me karakter publik. Vitin e kaluar 73 përqind nga institucionet e kontaktuara janë përgjigjur në afatin ligjor.
“Për dallim prej të gjitha viteve të kaluara në të cilat institucionet mesatarisht janë përgjigjur në afatin e atëhershëm maksimal prej 30 ditëve, këtë vit vetëm 40 përqind e institucioneve e kanë respektuar afatin e ri ligjor dhe janë përgjigjur brenda 20 ditëve maksimale të parapara. Në kërkesën këtë vit aspak nuk janë përgjigjur 4 përqind e institucioneve, për dallim prej 12 përqind vitin e kaluar”, thuhet në raportin e publikuar.
Në Indeksin për transparencë aktive 2020” theksohet që 39 përqind e komunave janë përgjigjur brenda afatit maksimal ligjor, për dallim prej 77 përqind vitin e kaluar. Gjithashtu, në afatin e përcaktuar janë përgjigjur 35 përqind e ministrive. Përgjigja më e shpejtë ka arritur për vetëm tre ditë nga një komunë, kurse nga Qendra për komunikime qytetare kanë pritur madje 64 ditë për përgjigje nga një vetëqeverisje tjetër lokale.
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.