Anëtarët e deritanishëm të Këshillit programor të Radio Televizionit të Maqedonisë (RTMV) kanë shpallur konkurs për zgjedhje të anëtarëve të Këshillit mbikëqyrës të servisit publik radiodifuziv. Organi i RTM-së që duhet të mbikëqyrë punën materiale – financiare duhet të përzgjidhet nga Këshilli programor i cili në këtë moment është me mandat të skaduar, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Konkursi për zgjedhje të anëtarëve të Këshillit mbikëqyrës është publikuar në ueb-faqen e RTMV-së më 17 janar, kurse parashtrimi i aplikacioneve nga persona të interesuar do të zgjatë 15 ditë. Problem kryesor me shpalljen e këtij konkursi është fakti që mandati i anëtarëve të Këshillit programor të RTMV-së ka zgjatur deri më dhjetor 2019.
Sipas Ligjit për ASHAAVM, mandati i anëtarëve të Këshillit programor të RTMV-së është pesë vite me të drejtë për edhe një mandat të njëpasnjëshëm. “Prizma“ në një hulumtim për punën e servisit radiodifuziv që nga pranvera që kaloi ka shkruar që Kuvendi i RMV e ka zgjedhur Këshillin e deritanishëm programor në mbledhjen e mbajtur më 15 dhjetor 2014. Kjo do të thotë që një muaj të plotë pas skadimit të mandatit, anëtarët e vjetër të Këshillit programot të RTMV-së tani shpallin konkurs publik për zgjedhje të Këshillit të ri mbikëqyrës.
Zgjedhja e Këshillit të ri programor të RTMV-së ka ngecur në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve të Kuvendit, ku kryetar është Ilija Dimovski nga partia opozitare VMRO-DPMNE. Qërimet e hesapeve ndërmjet pushtetit dhe opozitës rreth asaj cilët anëtarë do të jenë pjesë e organit më të lartë të RTMV-së janë duke zgjatur tashmë disa muaj.
Afati për propozuesve të autorizuar për të propozuar anëtarë të ri të Këshillit programor të RTMV-së ka zgjatur deri më 2 mars 2019. Për 13 vendet e përbërjes së re RTMV janë paraqitur 19 kandidatë, mirëpo zgjedhjen e tyre duhet së pari ta shqyrtojë Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Për t’u zgjedhur nga kuvendi nevojitet dy e treta e shumicës nga numri i përgjithshëm i deputetëve, që do të thotë që për emërimin e tyre duhet të ketë pëlqim nga pushteti dhe opozita. Anëtarët e deritanishëm të Këshillit programor të RTMV-së në shkurt të vitit 2018 në konkurs e zgjodhën Marjan Cvetkovskin si drejtor të vjetër – të ri të servisit publik radiodifuziv, i cili herën e parë ka qenë i caktuar gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së.