Konkursi i Këshillit programor të Radio Televizionit të Maqedonisë për zgjedhje të anëtarëve të Këshillit mbikëqyrës të RTM-së formalisht nuk mund të kontestohet, për shkak se Kuvendi me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuele mediatike, të miratuara kah fundi i vitit 2018, ua ka vazhduar mandatin anëtarëve të Këshillit programor deri në zgjedhje të anëtarëve të ri. Neni 43 i këtyre ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për SHAAVM është shumë i qartë dhe nuk lë aspak hapësirë për interpretime të ndryshme. Çështje tjetër është nëse zgjedhja e Këshillit mbikëqyrës të ri të RTM-së do të jetë legjitime, për shkak se është zgjedhur nga organ të cilit, praktikisht i ka skaduar mandati, njofton Portalb.mk.
“Anëtarët aktual të Këshillit dhe drejtori i Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuele mediatike, si dhe anëtarët e Këshillit programor dhe drejtori e zëvendësi i drejtorit të RTM-së e kryejnë funksionin deri sa të zgjidhet Këshilli dhe drejtor i Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuele mediatike, si dhe anëtarë të Këshillit programor dhe zëvendës drejtor i RTM-së”, qëndron në paragrafin (1) të nenit 43 të Ligjit për SHAAVM. Ky paragraf duket sikur ligjvënësi të ketë paraparë që zgjedhja e Këshillit të ri Programor do të zvarritet dhe do të bëhet problematike.
Në pajtim me këtë dispozitë, e cila qartë kah fundi i vitit 2018 është miratuar pa u vërejtur nga publiku dhe sektori joqeveritar, konkursi publik i Këshillit programor për zgjedhje të anëtarëve të ri të Këshillit mbikëqyrës të RTM-së, i publikuar më 17 janar këtë vit, juridikisht nuk mund ta kontestojë përbërjen aktuale, për shkak se me vazhdim të mandatit të anëtarëve të Këshillit, atyre u janë vazhduar edhe të gjitha të drejtat dhe obligimet që burojnë nga ligji.
Mandat i zgjatur – pretekst për procedurë të gjatë?
Nënkryetari i Këshillit programor i RTM-së, Vedat Memedaliu për “Meta.mk” pohon që ata kanë obligim ligjor të shpallin konkurs për shkak se përbërja e vjetër, sipas ligjit, ka mandat fiks prej pesë viteve, së shpejti i skadon mandati. Ai konsideron që ata nuk guxojnë të lejojnë që servisi publik të mbetet pa këshill mbikëqyrës, i cili ka për obligim ta kontrollojë punën financiare të RTM-së.
“Sipas Ligjit mandati na skadon ditën kur emërohen anëtarët e ri. Ne, në anën tjetër, sipas statutit duhet të shpallim konkurs, për shkak se në mars do të skadojë mandati i anëtarëve të Këshillit mbikëqyrës të RTM-së. E kemi detyrim ligjor për ta bërë atë”, thotë Memedaliu.
Reagimi i ShGM-së për anulim të konkursit ai e vlerëson si parimor, por shton që ligji është në anën e tyre dhe që Këshilli programor do të punojë derisa Kuvendi nuk zgjedhë anëtarë të ri të Këshillit.
Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë reagoi publikisht dhe kërkoi nga Këshilli programor ta tërheq konkursin.
“Mandati i Këshillit programor ka skaduar në dhjetor të vitit 2019 dhe për ato shkaqe konsiderojmë që është problematike ata të zgjedhin anëtarë të ri të Këshillit mbikëqyrës që duhet të kontrollojë punën materiale dhe financiare të servisit publik në vitet e ardhshme”, thuhet në komunikatën e ShGM-së në të cilën shtohet që problem shtesë i këtij Këshilli është që anëtarët e Këshillit kanë konflikt interesash.
ShGM ka kërkuar nga Komisioni për zgjedhje dhe emërime në Kuvend të gjejë gjuhë të përbashkët dhe t’i zgjedhe anëtarët e ri të Këshillit programor të RTM-së dhe të mundësojë fillim të reformave mediatike.
Përse Xhaferi nuk e ka përshpejtuar procedurën
Konfuzioni në publik rreth konkursit të shpallur për zgjedhje të anëtarëve të Këshillit mbikëqyrës të RTM-së ishte krijuar për shkak se Kuvendi i tejkaloi të gjitha afatet ligjore të parapara për zgjedhje të përbërjes së re të Këshillit programor të RTM-së dhe të Këshillit të Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuele. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi kah fundi i janarit 2019, një muaj pas votimit të ndryshimeve të Ligjit për SHAAVM, shpalli konkurs për zgjedhje të anëtarëve të organeve udhëheqëse të RTM-së dhe ASHMV-së.
Për 13 vende në Këshillin programor deri në fillim të marsit vitin e njëjtë janë paraqitur 19 kandidatë, mirëpo, Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve nuk ka arritur të përcaktojë listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit programor dhe të Këshillit të ASHMV-së të cilët duhet të votohen me dy të tretën e shumicës si në Komision ashtu edhe në Kuvend. Kryetari i Komisionit, deputeti i VMRO-DPMNE–së, Ilija Dimovski nuk ka caktuar vazhdim të mbledhjes së Komisionit pa pasur paraprakisht konsensus ndërmjet pushtetit dhe opozitës për këto çështje kadrovike.
Shumica parlamentare deri më tani nuk i përdori mundësitë sipas rregullores për zhbllokim të punës së Komisionit dhe të bëjë zgjedhje të trupave të ri të RTM-së dhe ASHMV-së. Opsion të tillë ka kryetari Talat Xhaferi, i cili në pajtim me rregulloren për punë të Kuvendit mund të përcaktojë vazhdim të debatit në Komisionin në vend të kryetarit aktual, deputeti i VMRO-DPMNE – së, Ilija Dimovski. Pushteti nuk u përpoq ta ndryshojë përbërjen e Komisionit, ku momentalisht shumicë ka opozita, as të sigurojë dy të tretën e shumicës për zgjedhje të Këshillit të RTM-së dhe të ASHMV-së me ndihmë të tetë deputetëve të VMRO-DPMNE – së, të cilët i votuan ndryshimet e Kushtetutës me të cilat u ndryshua emri i vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, në pajtim me Marrëveshjen e Prespës.
Ekspertët mediatikë janë të një mendimi që procedurat formale në Kuvend nuk mund të jenë arsyetim për mungesë të reformave mediatike.
Komunikologu, Klime Babunski thekson që në vazhdimësi, qysh nga koha e përpilimit të Ligjit aktual, ka sugjeruar që votimi me dy të tretën e shumicës në Kuvend për zgjedhje të anëtarëve të organeve drejtuese të RTM-së dhe ASHMV-së (do të) paraqet pengesë për reformat mediatike. Kjo ndoshta është mirë në vende me traditë demokratike, megjithatë në “shtet që funksionon sipas formulës së Përzhinos” zgjidhjet e tilla janë të parealizueshme ose problematike në aspektin demokratik, thekson Babunski.
Ai konsideron që po të donin të zgjidhen organet drejtuese në servisin publik, kryetari i Kuvendit, në bazë të shumicës në Kuvend, mund ta kishte zhbllokuar punën e Komisionit për zgjedhje dhe emërime për t’u parë kush/cilët nga kandidatët e paraqitur nuk janë “sipas masës” së partive në Kuvend, pavarësisht a do të ishte në kuadër të Komisionit apo në seancë plenare të Kuvendit. Babunski thekson që kjo është veçanërisht e rëndësishme, duke e pasur parasysh mënyrën, debatin publik nëpërmjet të cilit kandidatët e dëshmojnë përshtatshmërinë e tyre gjatë zgjedhjes.
“Gjoja procedurë teknike, në kontekstin tonë fitoi peshë të madhe politike”, thotë Babunski.
Sipas tij, në Maqedoni nevojiten reforma të thella, Kopernikane, por ato do të jenë të mundshme vetëm atëherë kur do të ndryshohet diskursi publik dhe të kuptohet që qytetarët, kurse jo aktorët politik janë më të rëndësishëm në storjen.
“Pa reforma në sistemin mediatik, reformat në shoqëri janë sipërfaqësore. Nuk mund të ndryshohet diskursi publik, nëse ata të cilët e krijojnë mendimin publik, përkatësisht mediat, ende jetojnë në “mjedisin e vjetër jetësor”.
Sefer Tahiri, gazetar dhe profesor me tezë të doktoraturës për punën e Radio Televizionit të Maqedonisë thotë që publikimi i konkursit për zgjedhje të anëtarëve të Këshillit mbikëqyrës të RTM-së mund të jetë legal, por nuk është legjitim.
“Konkursi është shpallur nga Këshilli programor i RTM-së, të cilit i ka skaduar mandati”, konsideron Tahiri. Ai pohon që mos pasje të reformave në RTM është rezultat i mungesës së vizionit nga elitat politike si RTM-në aktuale ta transformojnë në servis publik të vërtetë të qytetarëve.
“Mos-reformimi i RTM-së do të jetë pengesë e madhe në avancimin e sistemit mediatik dhe të demokracisë parlamentare në përgjithësi. Partitë politike nga pushteti dhe opozita duhet të gjejnë mënyrë të zhbllokohet procesi për shkak se kolapsi i RTM-së do të jetë i pashmangshëm”, parasheh Tahiri.
Përndryshe, konkursi i Këshillit programor për zgjedhje të anëtarëve të ri të Këshillit mbikëqyrës të RTM-së parasheh kushte minimale që kandidatët e paraqitur duhet t’i plotësojnë. Ata duhet të kenë shtetësi të Maqedonisë, të kenë mbaruar çfarë do fakultetit dhe kenë së paku pesë vite përvojë pune nga fusha e punës financiare dhe në kontabilitet.
Ligji i ri për ASHMV parasheh procedurë të re për zgjedhje të anëtarëve në organet udhëheqëse të RTM-së dhe ASHMV-së. Përveç dy të tretën e shumicës, për zgjedhjen e strukturave të reja udhëheqëse nevojitet të organizohet edhe debat publik në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve të Kuvendit ku kandidatët e paraqitur i prezantojnë programet e tyre, kurse deputetët dhe publiku i interesuar profesional kanë mundësi t’i dëgjojnë. Gjithashtu në ligj janë paraparë kushte shtesë për kandidatët. Ata duhet të kenë së paku tetë vite përvojë pune dhe të jenë spikatur në fushën e komunikologjisë, gazetarisë, informatikës, kulturës, ekonomisë ose drejtësisë, të rëndësishme për Këshillit programor. Kandidatët me konflikt të interesave në lidhje me punën e radiodifuzerëve nuk guxojnë të jenë të zgjedhur në Këshillin e RTM-së.
Risi janë edhe shkresat e përkrahjes që duhet t’i sigurojnë kandidatët e paraqitur prej së paku dy organizata qytetare në fushën e avancimit të të drejtave të njeriut, mediat dhe demokraci, prej së paku një shoqate të gazetarëve, ose së paku dy shoqata nga fusha e kulturës ose shoqatë relevante, asociacion ose odë nga fusha për teknologji dhe komunikime informatike dhe shërbime ose së paku dy ente për arsim të lartë të cilat kanë programe studimore nga fusha e komunikologjisë, gazetarisë, artit, ekonomisë ose juridikut.