Mediat të cilat duan reklama për zgjedhjet, të regjistrohen në KSHZ dhe të dorëzojnë listën e çmimeve

Radiodifuzerët, mediat e shtypit dhe internet portalet janë të obliguara të regjistrohen në KSHZ, nëse ofrojnë reklamim të paguar-politik për pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Me kërkesën detyrimisht parashtrohet Gjendja rrjedhëse e lëshuar nga Regjistri qendror.

KShZ më pas do të përgatit Regjistër të mediave të cilat do të japin shërbime për reklamim të paguar-politik gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Mediat janë të obliguara në afat prej pesë ditësh nga dita e shpalljes së zgjedhjeve të përcaktojnë listën e çmimeve për reklamim të paguar politik për zgjedhje. Listat e çmimeve duhet të dërgohen në KSHZ më së voni deri më 21 shkurt në mesnatë”, informojnë nga KSHZ.

Shuma që mund t’i paguhet një internet portali dhe mediave të shtypit nga një pjesëmarrës në procesin zgjedhor, nuk mund të jetë më e madhe se 15.000 euro në kundërvlerë denari.

Mediat të cilat nuk do të regjistrohen në KSHZ dhe nuk do të jenë në Regjistër dhe të cilat nuk do të dërgojnë listën e çmimeve në afatin e paraparë ligjor, nuk do të kenë të drejtë të përdorin mjete financiare, për reklamim të paguar-politik për zgjedhjet në vitin 2020, të siguruara nga buxheti.

Pjesëmarrësi në fushatën zgjedhore nuk mund të porositë reklamim të paguar-politik nga mediat që nuk janë të regjistruara në Regjistrin dhe t’i paguajë mjetet nga llogaria e transaksionit për fushatë zgjedhore.