Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nuk ndanë me opinionin paditë penale që gjatë periudhës së fundit i ka ngritur kundër dy personave të dyshuar për përhapjen e gjuhës së urrejtjes ose kanë nxitur dhunë nëpërmjet rrjeteve sociale. MPB në qershor zyrtarisht refuzoi kërkesën e Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, (SHGM) për qasje të lirë në dy padi të ngritura për përhapjen e gjuhës së urrejtjes.
Njëra padi është ngritur në maj të këtij viti kundër një qytetari me punë të përkohshme në Gjermani, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale ka kërcënuar kryeministrin teknik, Oliver Spasovski, ndërsa padia tjetër është ngritur kundër gazetarit Branko Triçkovski, i cili dyshohet se nëpërmjet rrjeteve sociale ka përhapur gjuhë të urrejtjes kundër liderit të VMRO-DPMNE, Hristian Mickoski.
Në vendimin e MPB me të cilën refuzohet kërkesa e SHGM thuhet se “informata e kërkuar përmban të dhëna të dala ose të përpiluara gjatë hetimit, procedurës penale ose për kundërvajtje, për zbatimin e procedurës administrative dhe qytetare, ndërsa dhënia e tyre mund të ketë pasoja për vijimin e procedurës”.
Policia sqaron se kopjet e padive penale nuk mund të dorëzohen sepse gjithë dokumentacioni dhe dëshmitë janë dorëzuar në Prokurorinë themelore publike. Pas zbatimit “të testit të dëmshmërisë”, kanë konstatuar se nëse jepen kopjet e padive, do të bëhen shkelje ligjore nga MPB, thuhet në vendimin e policisë.
Mirëpo, SHGM ndaj këtij vendimi, me të cilin nuk u jepen kopjet e dy padive penale, përpiloi ankesë në Agjencinë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informata me karakter publik. Në ankesë thuhet se vendimi i MPB ka shumë mangësi, është i paqartë dhe kundërthënës më vetveten dhe se nuk janë përmendur faktet vendimtare për miratimin e këtij vendimi.
“Faktet e përmendura janë të paqarta dhe mes veti të pakuptueshëm, poseduesi i informatës nuk jep sqarim mjaftueshëm të qartë se si dhënia e kopjeve të kësaj informate ose dhënia e qasjes duke parë do të kishte pasoja të dëmshme gjatë procedurës dhe sipas cilit kriter dhe metodologjie ka zbatuar testin e dëmshmërisë ose në çfarë mënyre do të cenohen të drejtat e palëve në këto procedura”, thuhet në ankesën e SHGM.
Po ashtu, Shoqata ankohet se nuk mund të realizojë misionin e saj, të mbrojë gazetarët dhe të përparojë standardet profesionale të gazetarisë, nëse nuk e di nëse policia vepron në mënyrë ligjore dhe nëse veprimi është joselektiv pa dallim nëse palët janë politikanë apo gazetarë.
Ato pohojnë se MPB gabimisht zbaton të drejtën materiale duke mos lejuar qasje në paditë për të siguruar punë transparente të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik. “Me këtë sjellje lind dyshimi për veprim të paligjshëm”, argumentohet ankesa.
Sipas tyre, nëse policia nuk lejon qasje në paditë penale, SHGM nuk do të mund të dijë nëse në këtë rast respektohet procedura ligjore.
Përndryshe, në SHGM thonë se me këtë kërkesë duan të tregojnë se institucionet nuk trajtojnë njësojë të gjitha viktimat e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale. Përshtypja e tyre është se
policia dhe prokuroria janë më ekspeditiv kur përhapet gjuhë e urrejtjes kundër një politikani, ndërsa në rastet kur gazetarët janë viktima, hetimet zhagiten në pafund.
Kështu është rasti i 28 vjeçarit me qëndrim të përkohshëm në Gjermani, i cili para dhjetë ditësh ishte arrestuar në aeroportin e Shkupit, sepse në maj të këtij viti nëpërmjet rrjeteve sociale ka kërcënuar kryeministrin teknik, Oliver Spasovski. Ai dyshohet për cenimin e sigurisë së Spasovskit dhe për këtë mund të dënohet me burgim prej një deri në pesë vjet.
Ky efikasitet i zbatimit të procedurës për adresimin e kërcënimeve për jetë ndaj politikanëve nuk zbatohen edhe në rastet e gazetarëve. Prej MPB thonë se në katër muajt e para të vitit 2020 nuk kanë ngritur asnjë padi penale kundër personave lidhur me gjuhën e urrejtjes ose nxitjes së dhunës kundër një gazetari, edhe pse sipas evidencës së SHGM, sivjet kemi rritjen e numrit të kërcënimeve dhe fyerjeve kundër gazetarëve në rrjetet sociale.
Prej MPB informojnë se prej Sektorit për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale në vitin e fundit ende punon për shtatë denoncimeve prej gazetarëve.
“Aktualisht po procedohen dy denoncime sipas nenit 149 të Kodit penal “Keqpërdorimi i të dhënave personale”, dy denoncime sipas nenit 394-g “Përhapje e materialit racist dhe ksenofobik nëpërmjet sistemit kompjuterik”, dy denoncime sipas nenit 144, alineja 4, “Cenimi i sigurisë” dhe një denoncim sipas nenit 251 të Kodit penal “Dëmtim dhe hyrje e paautorizuar në sistem kompjuterik”, thuhet në informatën e policisë.
Ato kumtojnë se për të gjitha rastet me gazetarët vazhdimisht informojnë Prokurorinë publike për marrjen e udhëzimeve për procedim dhe për marrjen e urdhrave me qëllim gjetjen e autorëve dhe sigurimin e dëshmive.
Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit SHGM ka regjistruar shtatë raste të kërcënimeve dhe fyerjeve ndaj gazetarëve në rrjetet sociale. Në të gjitha rastet Shoqata ka reaguar publikisht duke ftuar policinë dhe prokurorinë shpejtë të hetojnë rastet dhe fajtorët të nxirren para drejtësisë.
Ashtu ishte shembulli i korespodentes së Agjencisë MIA nga Brukseli, Tanja Milevska, e cila javën që shkoj nëpërmjet Tuiterit mori kërcënime për jetë.
“Përkujtojmë se siguria e gazetarëve dhe e drejta për lirinë e fjalës shkojnë bashkë si dëshmi të demokracisë në një shtet. Ky diskurs publik kur gazetarët fyhen në mënyrë të pashembullt, dhe këto janë kërcënime të hapura për jetën, është i patolerueshëm dhe i paimagjinueshëm në një shoqëri demokratike”, thuhet në reagimin e SHGM.
Politika e pandëshkueshmërisë e dhunës ndaj gazetarëve është problem serioz për lirinë e fjalës në Maqedoninë e Veriut. Sipas evidencës së SHGM, pjesa dërmuese e sulmeve fare nuk janë ndriçuar, ndërsa fajtorët mbeten të pandëshkuar.
Kjo dukuri negative, e cila mund të cenojë lirinë e mediave, gjeti vend edhe në raportin vjetor të Stejt Departamentit Amerikan për Maqedoninë e Veriut për vitin 2019. Raporti veçon dy shembuj të kërcënimeve kundër gazetarëve për të cilat policia dhe prokuroria edhe pas tre vitesh kurrsesi ta përmbyll hetimin dhe të ndëshkojë dhunuesit. Bëhet fjalë për rastin e ish kryetarit të SHGM, Naser Selmani, i cili në vitin 2018 nëpërmjet rrjeteve sociale mori kërcënime më vdekje prej funksionarëve partiak të BDI në Shkup, si dhe për rastin e gazetarëve të Televizionit 21, të cilët në fshatin Haraçinë qenë penguar për të incizuar një kontribut prej njerëzve të kryetares së komunës, Milikije Halimi.
Naser Selmani
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media”të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.