Pandemia nuk është alibi për kufizimin e lirisë së fjalës

Këshilli i Evropës paralajmëron vendet anëtare të mos përdorin pandeminë me koronavirusin për heshtjen e mediave, denoncuesve ose të kundërshtarëve politik. Këtë thirrje Këshilli e dërgoi në fillim të prillit përmes një dokumenti, ku udhëzon vendet anëtare se si në mënyrë më të suksesshme të përballen me pandeminë e koronavirusit dhe në të njëjtën kohë të respektojnë të drejtat themelore të njeriut.

Këshilli vlerëson se edhe atëherë kur ka shpërndarje tendencioze të dezinformatave, ajo mund të zgjidhet me ndëshkime që do të shqiptohen pas kalimit të krizës dhe përmes përhapjes së fushatave qeveritare për informimin e publikut.

“Shtetet duhet të punojnë bashkë me online platformat dhe mediat për të penguar manipulimet me mendimin publik, si dhe duke iu dhënë më shumë rëndësi burimeve të besueshme të lajmeve dhe informative, veçanërisht ato të komunikuara nga autoritetet publike të shëndetësisë”, thuhet në dokument.

Këshilli i përkujton vendet anëtare se liria e shprehjes, duke përfshirë edhe lirinë e përhapjes së papenguar dhe në kohë të informatave, është faktor kryesor për aftësinë e mediave të raportojnë për çështje lidhur me pandeminë. Poashtu, theksohet fakti se komunikimet zyrtare nuk mund të jenë kanali i vetëm informativ për pandeminë sepse kjo mund të shkaktojë cenzurë dhe anashkalimin e shqetësimeve të arsyeshme të publikut.

“Gazetarët dhe mediat, profesionistët e mjekësisë, aktivistët e shoqërisë civile dhe opinion i përgjithshëm patjetër duhet të jenë në gjendje të kritikojnë autoritetet dhe të vlerësojnë përgjigjen e tyre ndaj krizës. Të gjitha kufizimet paraprake për tema të caktuara, mbylljen e mediave ose bllokimi i plotë i qasjes deri te platformat e komunikimit përmes internetit, kërkojnë veprim të kujdesshëm dhe janë të arsyeshme vetëm në raste të jashtëzakonshme”, paralajmëron dokumenti.

Këshilli i Evropës, poashtu, fton mediat dhe gazetarët profesionistë, veçanërisht serviset publike radiovizive të jenë të përgjegjshëm, sepse ata kanë rol vendimtar për sigurimin me kohë të informative të besueshme për opinionin, por edhe për pengimin e panikut dhe kultivimin e bashkëpunimit midis qytetarëve. Ato duhet të transmetojnë mesazhe të besueshme lidhur me krizën dhe të përmbahen nga publikimi ose përforcimi i artikujve të paprovuar, për me tepër, material të paqartë apo senzacionalist.

Lidhur me kufizimin e qasjes së opinionit deri te informatat, ajo mund të zbatohet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe në harmoni me qëllimin për mbrojtjen e shëndetit publik sepse Konventa për qasje në dokumentet zyrtare obligojnë autoritetet me iniciativë të tyre dhe kur është e përshtatshme, të ndërmarrin masa të nevojshme që dokumentet publike zyrtare të jenë të qasshëm për të inkurajuar pjesëmarrjen e opinionit në debat për çështje me interes të përgjithshëm.

Paralajmërim të ngjashëm lidhur me kufizimin e lirisë së fjalës gjatë pandemisë nga fundi i marsit dërguan edhe Kombet e bashkuara, Komisioni inter-amerikan për të drejtat e njeriut dhe Përfaqësuesi i lartë i OSBE për lirinë e  mediave. Këta organizata, në vend të parë për përballjen me pandeminë e theksojnë obligimin e qeverive për të ofruar informata të vërteta për natyrën e kërcënimit nga koronavirusi.

“Qeveritë janë të obliguara  sipas ligjit për të drejtat e njeriut të sigurojnë informata të besueshme në të gjitha formatet e mundshme”, thuhet në thirrjen dhe shtohet se kujdes të veçantë duhet kushtuar  sigurimit të qasjes në informatat të atyre me qasje të kufizuar në internet ose njerëzit me aftësi të kufizuara. Ata njëkohësisht ndajnë shqetësimin me vendet anëtare se lajmet e rreme për pandeminë mund të shkaktojnë probleme shëndetësore dhe panik, mirëpo, përkujtojnë rëndësinë e veçantë të qeverive dhe kompanive të internetit të luftojnë kundër këtyre dezinformatave duke siguruar informata të besueshme.

“Prirja ndaj masave tjera, siç janë fshirja e përmbajtjes dhe censurës, mund të rezultojë me kufizimin e qasjes në informata të rëndësishme për shëndetin publik dhe duhet të ndërmerren vetëm nëse plotësojnë standardet e domosdoshmërisë dhe të proporcionalitetit. Të gjitha përpjekjet për kriminializimin e informatave lidhur me pandeminë mund të krijojnë mosbesim në informatat e institucioneve, të prolongojnë qasjen në informata të besueshme dhe të ketë efekt frikësues ndaj lirisë së fjalës”, vlerësojnë Kombet e bashkuara, OSBE dhe Komisioni inter-amerikan për të drejtat e njeriut.

Këto paralajmërime të hapura nga organizata relevante botërore dhe evropiane, ku është anëtare edhe Maqedonia e Veriut, i sjellin në kontekst të bisedimeve që zhvillohen në Grupin e punës të formuar në Ministrinë e Drejtësisë lidhur me ndryshimet dhe plotësimet e Kodit penal, për vendosjen e kufizimeve të reja për lirinë e fjalës.

Vllado Kambovski

Akademiku Vllado Kambovski, anëtarë i këtij grupi të punës, për Meta.mk thotë se ekzistojnë ide të ndryshme, mirëpo propozim konkret për vendosjen e veprave të reja penale lidhur me kufizimin e lirisë së fjalës, ende nuk ka. Janë marrë vesh që kjo çështje të hapet pas krizës me koronavirusin, kur pritet të përfshihen edhe ekspert të huaj dhe opinion i vendit.

Kambovski vlerëson se kufizimet mund të bëhen për mbrojtjen e shëndetit dhe të sigurisë së qytetarëve, që është në harmoni me Konventën evropiane për të drejtat e njeriut.

“Çka nëse dikush denoncon rrejshëm për bombë të kurdisur në shkollë ose avion. A është kjo liri e fjalës? Çfarë pasojash mund të shkaktojë kjo”, pyet Kambovski.

Sipas tij, dilema më e madhe në grupin e punës ka qenë nëse këto vepra duhet të trajtohen në procedurë për kundërvajtje apo si vepra penale. Ai është i vetëdijshëm se këto kufizime mund të keqpërdoren prej institucioneve për të kufizuar lirinë e fjalës, por propozon që këto vepra të jenë të kushtëzuara me dëmin eventual që do ta kishin shkaktuar.

E padiskutueshme është që me paraqitjen e koronavirusit në media dhe rrjetet sociale është rritur numri i dezinformatave lidhur me pandeminë. Mirëpo, kjo nuk ishte në atë masë alarmante që institucionet qeveritare të mos jenë në gjendje që përmes mediave dhe rrjeteve sociale t’i demaskojnë të gjitha këto përpjekje për shtrembërimin e gjendjes faktike me pandeminë. Për më tepër, çështja është nëse tani gjatë gjendjes së jashtëzakonshme,kur nuk punon Kuvendi, duhet të vendosen kufizime të reja ligjore kundër lirisë së fjalës, të cilat do të jenë në fuqi edhe pas mbarimit të krizës.

Naqe Çulev
Naqe Çulev

Për herë të parë marrje të masave ligjore për ndëshkimin e qytetarëve që kanë përhapur dezinformata për pandeminë përmes mediave online dhe rrjeteve sociale u njoftua nga fundi i marsit, kur ministri i Punëve të brendshme, Naqe Çulev, bëri te ditur se policia ka ngritur 15 padi në prokurori.

“Është vepruar dhe janë dorëzuar propozime adekuate në Prokurorinë e përgjithshme, e cila do të duhet të vendos nëse ka elemente të veprës penale”, deklaroi atëherë Çulev.

Baza juridike mbi të cilën MPB ngre këto fletëparaqitje janë nenet 205 dhe 206 të Kodit penal, vepra kundër shëndetit të njerëzve, konkretisht për transmetimin e sëmundjes ngjitëse dhe për mosrespektimin e rekomandimeve shëndetësore dhe të masave të qeverisë.

Ekspertët juridik pohojnë se të dy nenet, bile edhe alineja 5 e nenit 205 është i pazbatueshëm në këto situata, sepse ka të bëjë me përhapjen e sëmundjes ngjitëse duke përhapur pohime të rrejshme për ekzistimin e ndonjë sëmundje ngjitëse të pashërueshme.

Nëse është pak e mundur që prokuroria të procedojë këto fletëparaqitje, ato mund të kenë ndonjë efekt preventiv dhe të demotivojnë njerëzit të përhapin dezinformata dhe të nxisin panik. Këto lëndë mund të përfundojnë me kallëzim penal vetëm nëse përmes tyre janë bërë edhe vepra të tjera penale.

Nga ana tjetër, eksperti juridik, Dragan Alçinov në analizën e botuar në ueb faqen e javores Fokus sqaron se marrëveshjet ndërkombëtare u lejojnë vendeve të zbatojnë kufizime vetëm “në rast të rrezikut të përgjithshëm, i cili cenon jetën e kombit”, ndërsa rreziku duhet të jetë aktual dhe imanent.

Alçinov vlerëson se masat e jashtëzakonshme nuk janë të  pakufizuara sepse parimi i sundimit të ligjit vazhdon të zbatohet edhe gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Ai pohon se Kushtetuta dhe marrëveshjet ndërkombëtare përcaktojnë një listë të të drejtave të njeriut dhe të drejtave dhe lirive qytetare, që nuk mund të dërgohen gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, midis të cilave është edhe e drejta dhe liria e besimit, ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes publike të mendimit dhe të besimit fetar.

Sipas tij, gjatë zbatimit të masave të jashtëzakonshme që janë “e keqja më e vogël” duhet të respektohet parimi i proporcionalitetit me qëllim të përjashtohet mundësia që “kura të jetë më e dëmshme se sëmundja”. Përveç kësaj, masat duhet të jenë të patjetërsueshme dhe të zbatohen sipas parimit të mosdiskriminimit, të mbrohet shëndeti publik, por edhe sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Autor: Naser Selmani

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.