Eksperti evropian Reinhard Priebe në vitin 2015, si pjesë e reformave urgjente me përparësi në media, dha tre rekomandime në lidhje me shpenzimin e parave publike në media.
Rekomandimi i parë ishte vendosja e rregullave të rrepta për reklamat qeveritare bazuar në kritere objektive dhe jo-diskriminuese, e dyta ishte sigurimi i transparencës së plotë të reklamave qeveritare, duke publikuar të dhënat për atë se kush shpenzon para në media dhe cilat media i marrin ato para, dhe në fund rekomandoi ngritjen e një mekanizmi për njoftimet e papaguara që janë me të vërtetë me interes publik.
Edhe pse Priebe kërkoi vetëm transparencë të reklamave qeveritare, qeveria në fund të gushtit të vitit 2017 vendosi të pezullojë reklamat qeveritare në televizionet komerciale dhe mediat e shkruara, panotë, portalet e Internetit, me përjashtim të mediave sociale.
Por në vitin 2018, me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, paratë publike në media u kthyen në një formë tjetër, përmes reklamave politike të paguara të partive në media gjatë fushatës zgjedhore. Që atëherë, partitë, mbi këtë bazë, kanë shpenzuar rreth tetë milion euro në media për reklamat politike për organizimin e referendumit, zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Rreth një milion u shpenzuan për referendumin, 3.8 për zgjedhjet presidenciale dhe në zgjedhjet e parakohshme të këtij viti, media mori rreth tre milion euro para publike për reklamat politike të partive.
Kjo praktikë negative e shpenzimit të parave publike në media u theksua në raportin e fundit të Bashkimit Evropian.
“Mundësia që partitë politike të përdorin fondet shtetërore për të reklamuar në media ka ngritur shqetësime midis shoqatave të medias rreth ndikimit të mundshëm politik në politikën editoriale,” thotë raporti.
Kundër kësaj forme të shpenzimeve publike në media është deklaruar edhe Komisioni Shtetëror për parandalimin e korrupsionit, i cili në Strategjinë e re kombëtare për parandalimin e korrupsionit, thekson se “financimi prej buxhetit të programit të paguar politik për fushatën zgjedhore është rrezik potencial për korrupsion dhe për përdorimin e ndihmës financiare”, thuhet në strategji.
“Për shkak të natyrës së veprimtarisë së tyre dhe ndikimit të madh në krijimin e opinionit publik, media paraqitet si një përdoruese e konsiderueshme e financave publike. Në praktikë, shpenzimi i fondeve publike, dhe mbi të gjitha fondet e buxhetit nga institucionet shtetërore shpesh bëhet në një mënyrë jo-transparente, me përzgjedhje, privilegje dhe mungesë llogaridhënie dhe pa mbikëqyrje në alokimin dhe përdorimin e mbështetjes financiare”, thuhej në strategji.
Vlerësime negative në publik për financimin e reklamave politike të partive në media me para publike, nxitën ish-ministrin e Shoqërisë së informacionit dhe administratës, Damjan Mançevski, i cili në qershor të këtij viti doli me një ide për të shfuqizuar plotësisht reklamat zgjedhore të paguara nga buxheti i shtetit.
“Ideja është të braktisim plotësisht këtë pjesë të ligjit, ku fushata financohet direkt nga buxheti, sepse kjo gjithashtu shkakton shumë probleme për KSHZ” deklaroi Mançevski në atë kohë.
Sidoqoftë, që atëherë, qeveria nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për të përmbushur këtë premtim publik të ish-ministrit të saj.
Reklamimi politik në media me para publike shqetëson gjithashtu Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), e cila në Kuvendin e fundit vjetor kërkoi heqjen e reklamave politike në media me para publike.
Drejtori i SHGM Dragan Sekulovski shpjegon se megjithëse reklamat qeveritare në mediat private nuk ekzistojnë siç ka ekzistuar gjatë regjimit të Gruevskit, paratë publike janë akoma të pranishme në mediat private përmes formave të tjera, si reklamat politike me pagesë, e cila është bërë e ligjshme në praktikë në vitin 2018 me konsensus midis qeverisë dhe opozitës.
“Këtu ka disa probleme, së pari, përmes këtij modeli politika editoriale e mediave mund të ndikohet nga partitë politike dhe së dyti në këtë mënyrë vazhdon marrëdhënia klienteliste midis partive dhe mediave,” tha Sekulovski.
Një problem shtesë, sipas Sekulovskit, është se paratë publike mbi këtë bazë pa ndonjë kriter marrin media online.
“Në zgjedhjet e fundit parlamentare, rreth 250 platforma në internet u paguan për shërbimet e tyre dhe shumë prej tyre nuk plotësonin kushtet themelore për të qenë medium, siç është vendosja e impresumit, struktura e pronësisë dhe të ngjashme,” thotë ai.
Shoqata i ka shprehur këto rreziqe para Grupit të punës për ndryshimin e Kodit zgjedhor, por nuk ka pasur vullnet politik nga qeveria për të hequr këtë formë të financimit të medias, për çka angazhohet edhe Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit.
Paratë publike në mediat lokale dhe rajonale shpenzohen nga komunat dhe ndërmarrjet publike lokale, megjithëse kjo është e ndaluar me ligj. Sekulovski ankohet se komunat nuk japin informata se sa para shpenzojnë në media, edhe pse kërkesa e SHGM ishte bërë në përputhje me Ligjin për qasje të lirë në informatat me karakter publik.
Ai pranon se situata financiare e mediave lokale dhe rajonale është e rëndë, e cila është përkeqësuar më tej nga pandemia e koronavirusit, por beson se komunat dhe ndërmarrjet e tyre publike nuk duhet të reklamohen në media.
Sipas tij, mund të ketë stimuj shtesë për taksat për këto media ose mbështetje për projekte për krijimin e përmbajtjes mediatike me interes publik, e cila do të zbatohet me konkurs, në mënyrë transparente dhe bazuar në kritere të përcaktuara qartë.
Ekspertja e medias, Snezana Trpevska thotë se kërkesa e Priebe për të vendosur rregulla dhe kritere të rrepta në legjislacion është bërë për të siguruar transparencë në shpenzimin e fondeve buxhetore në media është për shkak të pasojave negative që reklamat qeveritare lanë në lirinë e medias gjatë qeverisjes së mëparshme.
Trpevska vlerëson se megjithëse reklamat shtetërore u ndaluan, shpenzimet e buxhetit në nivelin lokal ende janë të pranishme, ku komunat dhe ndërmarrjet publike shpenzojnë para publike në media duke minuar pavarësinë e tyre.
“Ky shpenzim i fondeve të buxhetit lokal në media është ende problematik sot sepse nuk është rregulluar si duhet në Ligjin për shërbimet mediatike audio dhe audiovizive, dhe mendoj se nuk u kuptua ndonjëherë nga media private lokale, të cilat për shkak të nevojës së vazhdueshme për mjete, nuk kujdesen sa duhet për pavarësinë editoriale,” thotë Trpevska.
Ajo pohon se tani kemi një problem më të madh sepse liritë e medias po vihen në pikëpyetje nga ekzistenca e një mekanizmi tjetër financiar plotësisht të papranueshëm që i vë mediat në varshmëri ndaj partive politike.
“Ka të bëjë me reklamat politike. SHGM në vitin 2018 publikoi një analizë, e cila plotësisht sqaron këtë problem. Analiza tregon qartë se partitë politike me ndryshimet në Kodin zgjedhor të miratuara në vitin 2018, votuan për veten e tyre një model që i vë partinë-politike mbi interesin publik dhe pavarësinë e mediave “, vlerëson Trpevska.
Sipas saj, neni 76-e i Kodit zgjedhor, gjatë fushatës zgjedhore, ku reklamimi partiak-politik në media kompensohet me fondet e siguruara nga Buxheti.
“Me mundësinë që media të marrë përsëri fonde direkt nga Buxheti, është e kuptueshme që ata do të dëshirojnë të transmetojnë sa më shumë reklama partiake, d.m.th. të kthehen përsëri në institucione partiake-ideologjike, në vend që të mbrojnë interesin publik. Kjo veçanërisht vlen për median më të fuqishme dhe akoma më me ndikim – televizionin”, thekson eksperti i medias.
Ajo kujton se vendet me një traditë më të madhe demokratike kanë ndaluar plotësisht reklamat politike me pagesë në radio dhe televizion, si gjatë dhe jashtë periudhës zgjedhore.
“Një ndalim i tillë shpjegohet me argumentin se media televizive ka ende ndikim të madh në formimin e opinionit publik dhe se përfundimisht mund të çojë në shtrembërim të debatit publik pluralist,” thotë Trpevska.
Sipas saj, tani kemi një çrregullim sistemor të funksionit kritik të mediave më me ndikim në vend.
Deri më tani, rekomandimi i tretë i Priebe për të krijuar një mekanizëm për njoftime të papaguara në shërbimin publik nuk është zbatuar. Përjashtime bëjnë fushatat qeveritare të publikuara në servisin publik për të promovuar masat për mbrojtjen nga përhapja e koronavirusit.
Autor: Naser Selmani
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.