Ministri për komunikime, llogaridhënie dhe transparencë Robert Popovski sot u drejtua në një punëtori rajonale me temë “Gazetaria për sfidat e sigurisë në kohën e re” që u mbajt në Hotelin “Meriot”, transmeton MO.
Popovski vuri në dukje se në një kohë kur ka shpërthime të shpeshta të ekstremizmit, dhunës ekstreme dhe terrorizmit, pasojat i ndjejnë qytetarët dhe shoqëria më e gjerë.
“Raportimi i mediave dhe storje gazetareske investigative për fenomenet e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit rezultojnë në sulme ndaj gazetarëve nga ekstremistët dhe mbështetësit e tyre. Është sulm mbi jetën e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë mediatikë dhe mbi integritetin e profesionit dhe të vërtetës”, tha Popovski.
Ai theksoi se ekzistenca e mediave të lira është faktor vendimtar në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
“Roli i qeverive në një situatë të tillë është që me çdo kusht të mbrojë dhe promovojë lirinë e fjalës dhe të shprehurit, madje edhe me koston e humbjes së rejtingut, pikave politike e madje edhe të zgjedhjeve. Gazetaria profesionale, cilësore mbetet objektiv kryesor i qeverisë. E liruam hapësirën mediatike për gazetari që do të kundërshtojë ndikimet e qendrave të pushtetit. Censurimi është i ndaluar dhe nuk guxon të ekzistojë. Garantojmë tolerancë zero për dhunën, sulmet, shantazhet, kërcënimet dhe presionet ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatikë”, tha Popovski.
Ai shtoi se sipas hulumtimit të censurës në internet, Maqedonia renditet në mesin e vendeve me kufizimet më të pakta në internet në botë dhe se kjo lihet në vetë-rregullimin e plotë të gazetarëve dhe respektimin e standardeve etike dhe luftën kundër gjuhës së urrejtjes në media.
Sipas Popovskit, përparimi i dukshëm në lirinë e fjalës dhe shprehjes në Maqedoni vërehet në raportet e Komisionit Evropian, Reporterët pa Kufij, Freedom House dhe për herë të parë një qeveri miraton Strategji për transparencë rëndësia e të cilës është theksuar në raportin e fundit. të Komisionit Evropian.
Popovski tha se për të parandaluar rreziqet e përhapjes së lajmeve të rreme dhe kërcënimeve në internet, qeveria ka hartuar gjithashtu një plan veprimi dhe ka krijuar një grup veprimi për të luftuar dezinformatat dhe sulmet ndaj demokracisë.
Koordinatori Kombëtar për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit, Borçe Petrevski, tha se mediat kanë përgjegjësi të madhe në luftën kundër ekstremizmit dhe se në këtë rast duhet të raportohet veçanërisht me kujdes dhe në mënyrë të dimensionuar.
Amer Kapetanoviç, kreu i departamentit politik të Këshillit për bashkëpunim rajonal, thotë se gjithnjë e më shumë po dëshmojmë dhe konsumojmë informacione të krijuara dhe plasuara pa kurrfarë kujdesi për etikë. Ai mendon se në epokën e mediave digjitale nuk është e drejtë që përgjegjësia e plotë për informacionet joprofesionale ta bartin vetëm gazetarët, por që ata shpesh në garën pas lajmeve dhe klikimeve prodhojnë lajme të rreme pa i pasur parasysh pasojat.