Reformë apo proformë: Funksionaliteti i Komisionit të Etikës në RTVM

Në kohën kur informacionet janë bërë armë, kurse hapësira mediatike është okupuar me interesat e lobit të biznesit dhe politikës, nevoja për standarde profesionale dhe etike po rritet. Pikërisht këtu servisi publik duhet të tregojë performansa më të larta dhe të mbrojë interesat e qytetarëve. Por, thuajse nuk ka ndonjë analizë apo hulumtim për servisin publik të vendit në të cilën në dy dekadat e fundit nuk thuhet se ka mungesë serioze të objektivitetit, anshmërisë, ndershmërisë apo të vërtetës në raportimin gazetaresk në RTVM, njofton Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Për t’u zbutur dëmet dhe për të filluar me përmirësimin e standardit, para katër viteve u themelua edhe Komisioni i Etikës pranë servisi publik i ngarkuar të veprojë ndaj shkeljeve të Kodit të atëhershëm të sapo themeluar etik. E, nga ana tjetër, ky Kod, i mirë apo i keq, përbehet prej rregullave etike për mënyrën e informimit, por edhe përmban rregulla për marrëdhënien e punës, jo vetëm për gazetarët, por për të gjithë të punësuarit në servisin publik.

Deri më tani,  rezultati i kësaj reforme ka qenë një pezullim dhe një dorëheqje. Komisioni, i cili përbëhet nga dy anëtarë të Televizionit të Maqedonisë, dy të Radios së Maqedonisë, një anëtar i Drejtorisë së RTM dhe nga një anëtar nga administrata dhe Sindikata e RTM, ka pranuar edhe ankesa të tjera. Por, askush nuk mund të jetë i sigurt sa ankesa janë, e as ku janë dhe as çfarë po ndodh me to, sepse Komisioni aktualisht nuk ka kryetar. Më 17 nëntor të vitit 2019, me kërkesë të kryetarit të Komisionit të  Etikës, i njëjti është shkarkuar nga detyra. Deri më sot Komisioni nuk është mbledhur për të zgjedhur kryetar, dhe për pasojë nuk ka kush ta pranojë postën për Komisionin.

“Fakt është se në RTM gjendja është e vështirë, sidomos me kuadro. Dhe, ju them, sipas të gjitha standardeve serioze janë duke hetuar të dyja rastet për të cilat edhe opinioni kuptoi për përfundimin e tyre. S’ka asgjë serioze që ka ndodhur e që nuk është hetuar dhe për të cilat nuk është vepruar. Ka kolegë që, po ashtu, këtë të drejtë mundohen ta shfrytëzojnë kundër kolegëve tjerë për avancim, zili apo për çështje personale”, thekson Marjan Cvetkovski, drejtor i RTVM.

Në pyetjen nëse konsideron se anëtarët e Komisionit janë zgjedhur në mënyrë adekuate, duke pasur parasysh faktin që nuk ka gazetarë, por para së gjithash persona teknikë dhe persona të afër me drejtorët, ai thekson se gjithçka është sipas Kodit, “por, definitivisht mund të përmirësohet funksionimi”.

“Ajo u bë atëherë sa për t’u bërë. Shpejtohej për t’u siguruar një sukses i vogël se së paku ka shpresa për ndryshime në servisin publik. Kishim qëllime të mira. Por, a do të mund të bëhej më mirë, sigurisht se po”, thotë ai.

Megjithatë, mundësia për ankesa është vetëm në duart e Komisionit, derisa qytetarët që e paguajnë dhe të cilët janë themelues të servisit publik nuk mund ta bëjnë të njëjtën. Arsyetimi zakonisht është se nuk ka rregulla. Por, servisi publik mund ta bëjë vetë këtë sepse edhe kornizat e përgjithshme etik për cilindo medium kërkojnë që gazetarët në punën e tyre duhet t’i marrin në konsideratë ankesat e publikut. Kur arritëm deri këtu dhe pas katër vite pune të Komisionit Etik, në vend të standardit më të lartë, statusi i RTVM mbetet i njëjtë.

Përpjekja për ndryshim

Gjatë vitit 2014 SASHK-u, të pakënaqur me raportimin e RTM për aktivitetet e tyre, filluan me serinë e parë të kryengritjeve publike kundër RTM-së. Me këtë filloi të ngritët zëshëm vetëdija se mediumi është e mirë publike dhe se RTM u takon qytetarëve, financohet prej tyre dhe ka obligim ligjor të raportojë në mënyrë etike, profesionale dhe të paanshme, në funksion vetëm të interesit publik. Në dy vitet në vijim para ndërtesës së servisit publik u organizuan një sërë protestash të organizatave civile, politikanëve, gazetarëve dhe lëvizjeve tjera, të pakënaqur të cilët servisin e okupuar publik nuk e shihnin si aleat të interesave të qytetarëve.

TVM në një histori të afërt e ndoqën një numër i madh skandalesh, prej atyre financiare deri tek ato politike. Por, dimensioni i presioneve politike u manifestua përgjatë dy ngjarjeve kryesore shoqërore: e ashtuquajtura “e hëna e zezë” kur opozita, e cila kundërshtonte miratimin e Buxhetit, së bashku me gazetarët ishte larguar në mënyrë të dhunshme nga mbledhja nga policia më 24 dhjetor të vitit 2012 dhe, ngjarja e dytë, rrahja e opozitës dhe gazetarëve kur hynë një turmë dhe u përpoq të vrasë disa funksionarë, ndër të cilët edhe liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, me qëllim që të pengohet konstituimi i Kuvendit. TVM për këto ngjarje nuk raportoi.

“Punët në TVM ishin aq të “errëta, saqë ishte subjekt edhe i Marrëveshjes së Përzhinos, fillimisht duke emëruar kryeredaktor teknik deri në mbajtjen e zgjedhjeve, kurse në nëntor u miratua edhe Kodi i etikës për raportim në TVM, në përpilimin e të cilit punoi edhe SHGM-ja me lehtësuesin Piter van Hojte dhe udhëheqësinë e TVM”, thekson ish-kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.

 

Të servisuarit dhe parapaguesit

“Po bëjnë shaka!” – ky do të ishte reagimi i gazetarit dhe redaktorit shumëvjeçar Zoran Dimitrovski, kur në vitin 2015 u  njoftua se TVM-ja ka vendosur që të miratojë Kod të etikës dhe të formojë Komision e Etikës.

“A tash duhet të besojmë se nëse sjellin Kod dhe nëse e shpallën në tabelën e shpalljeve në TVM do të lirohet nga prangat partiake. Mendojnë se e kanë përfunduar punën me atë që në nenin 4 të këtij “pishman defteri” kanë shkruar se e kanë për obligim “t’i promovojnë interesat publike dhe t’i respektojnë interesat e opinionit”, si dhe “të kontribuojnë në respektimin dhe promovimin e të drejtave themelore të njeriut dhe vlerave demokratike dhe avancimin e kulturës së dialogut publik”! Le pash Zotin! Kush ju pengon që këtë ta bëni që sonte, me ose pa Kod”, do të shkruajë Dimitrovski në kolumnë.

Me sjelljen e Kodit të etikës u vendos edhe një risi, e kjo ishte themelimi i Komisionit të Etikës pranë TVM në të cilin Komision mund të iniciohen procedura lidhur me raportimin jo etik dhe jo profesional. Por, të paktë janë ata që e dinë këtë, ndërsa të painformuar janë edhe vetë punonjësit e servisit publik.

“Përshëndetje, do të kishim dashur të dimë më shumë për punën e Komisionit të Etikës dhe ndoshta të paraqesim rast. A mund të na tregoni se si mund ta bëjmë një gjë të tillë”, pyetëm me telefon në TVM, pasi nuk arritëm të gjejmë asnjë të dhënë apo formë komunikimi në ueb faqen e tyre. “Çfarë të bëni?”, i habitur na u drejtua personi i autorizuar për qasje në informacionet me karakter publik.

Pasi sqaruam se çfarë është ky Komision i etikës dhe, çfarë, në fakt, duam të bëjmë, personi në anën tjetër të telefonit psherëtiu “Ahh, atë”. Nuk e dinte se cili është në Komisionin i etikës dhe as se si paraqitet saktë një rast i tillë.

“Në një letër shkruani atë që mendoni dhe silleni në qendër, e më pas do të shohim”, theksoi ai. “Nuk mund ta paraqesim në mënyrë elektronike?”, e pyetëm, e që më pas u dëgjuan të qeshura.

“Nuk kemi opsion për një gjë të tillë, ndoshta përmes e-mailit, por ku me e dit se a do të lexojë dikush fare” u përgjigj bashkëbiseduesi.

Pyetëm se edhe cilët janë anëtarët, me qëllim që të bisedojmë me ta. Personi i autorizuar për informacione të karakterit publik në tha se do t’i duhet më shumë kohë që ta kuptojë këtë informacion dhe na u lut që të bëjmë kërkesë për informacione të karakterit publik për të gjitha pyetjet që i kemi.

Deri në publikimin e kësaj storje, kjo pyetje dhe shumë pyetje tona të tjera, lidhur me atë se nëse kanë marrë ankesa dhe sa sosh, nuk na u përgjigjen. Sërish, për faktin se Komisioni akoma nuk ka kryetar të ri.

Çfarë ka punuar Komisioni i Etikës

“E dimë që Kodi u miratua, edhe atë vetëm për shkak të presionit politik dhe asgjë tjetër, ajo ishte e gjitha. Kurrë askush nuk na ka treguar se kush është anëtar në atë Komisioni, e as nuk e dimë nëse është themeluar. E as që dikush na ka konsultuar për Kodin. Së paku shumica nga ne nuk kanë ide. Sigurisht se synimi ka qenë që të mos e ekspozojnë televizionin ndaj ankesave, por të shtiren se udhëheqësit diçka kanë përmbushur. Ky vend ende është i mjerueshëm siç ishte në ditën e parë kur u punësova, kurse ishte shumë kohë më parë. Ju pyeteni se përse nuk mund ta gjeni Kodin etik në ueb, ndërsa neve ndonjëherë nuk na punon fare, nuk ka redaksi interneti, kur ka pushime vjetore me javë të tëre nuk ka lajme në të njëjtën”, thotë gazetarja e cila preferon të mbetet anonime.

Deshëm të kuptojmë më shumë për Komisionin e Etikës dhe si funksionon i njëjti. Biseduam me së paku 10 persona që punojnë në servisin publik. Të gjithë bashkëbiseduesit tanë për herë të parë dëgjuan nga ne për këtë Komision. Të gjithë kolegët u ofruan që të pyesin më shumë për ekzistimin e të njëjtit. Disa më pak, e disa më shumë të suksesshëm, por të gjithë kontribuuan me të dhënat e tyre. Të gjithë sugjerojnë se ky Komision ekziston vetëm në letër dhe askush nuk kujdeset që, sidomos qytetarët, të ushtrojnë të drejtën e tyre.

“Ka dy raste kur është mbledhur ky Komision, nëse është e njëjtë gjë për të cilën jemi duke folur. Një herë kur një gazetar i servisit publik u paraqit i pirë në lajme të drejtpërdrejta dhe një herë kur një gazetar tjetër përhapte urrejtje etnike dhe fetare në rrjetet sociale”, tha bashkëbiseduesi ynë dhe theksoi se, megjithatë, mund të ketë edhe raste të tjera, por “zakonisht për gjëra të tilla shpejt kuptohet në redaksi dhe menjëherë fillon të përflitet sikurse në çdo kompani të madhe”.

Në pyetjen nëse konsideron se RTVM raporton në mënyrë etike dhe profesionale, bashkëbiseduesi ynë thotë se punët janë përmirësuar, por jo në mënyrë të konsiderueshme.

“Me inerci akoma konsiderohet se për Qeverinë duhet të raportohet në mënyrë pozitive, së është shtet dhe këtë gazetarët në TVM e bëjnë pa ua kërkuar atyre, e tillë është kultura, vartëse. Për dallim nga tre vite më parë, të themi, kur lajmet ishin propagandë e artilerisë së rëndë sikurse në portalet anonime, tani gjërat janë pak më të përshtatshme. Por, ky akoma nuk është servis publik i qytetarëve”, thotë gazetari.

Shoqata e Gazetarëve kundërshtoi fuqishëm miratimin e Kodit të etikës në shpejtësi, në dhjetor të vitit 205. Opinioni akuzonte se jo vetëm që është kopjuar Kodi etik i servisit publik kroat, por edhe është përkthyer keq.

Ky Kod është shumë i përgjithshëm, konfuz dhe ka mangësi serioze. Shembull i këtillë është edhe kapitulli i posaçëm me të cilin ndalohet reklamimi i fshehur, e që dispozitat kanë të bëjnë vetëm me mallrat dhe shërbimet, e jo edhe me reklamimin e fshehur politik. Kurse kritikat e organizatave mediatike u fokusuan sidomos në faktin që në Kodin etik asnjëherë nuk përmendet ndalesa e reklamimit politik, sidomos për faktin që pikërisht ndikimi politik me vite vlerësohet si burim i të gjitha katastrofave në servisin publik dhe si problem i cili kërkon zgjidhje të shpejtë.

Një nga shembujt e paktë

“Analisti grek: Gruevski u rrëzua nga Sorosi sepse nuk u shërbente mediumeve perëndimore”, VMRO-DPMNE: Manipulimet e Sorosit janë libër i lexuar” ose “Orban: BE dhe Sorosi janë fajtorë për krizën e refugjatëve” – këto dhe tituj të ngjashëm kryesonin në lajmet e servisit publik pas ndryshimit të pushtetit në vitin 2017. Publiku akuzonte se në këto sulme është instrumentalizuar edhe servisi publik.

Projekti hulumtues për ndikimin rus në Ballkan, i Projektit ndërkombëtar për raportim për korrupsion dhe krim të organizuar, do të regjistrojë servisin publik në mediat që janë pjesë e fushatës globale anti-Soros për të cilën do të zbulohet se është vepër e përpjekjeve të  fshehta për destabilizimin e vendit në të cilën janë përzier Rusia dhe konservatorët e krahut të djathtë nga SHBA-të.

Komisioni, që nga themelimi, për herë të dytë mblidhet pasi opinioni në vitin 2018 filloi të bëjë presion të fortë ndaj të njëjtit për shkak të thirrjeve për luftë në rrjetet sociale nga një gazetar i tyre.

“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshilli i Etikës të Mediumeve të Maqedonisë (KEMM) e dënojnë, siç thonë,  sjelljen e pahijshme të gazetares së RTVM, e cila në Facebook bëri thirrje për mobilizim gjatë kohës së kremtimit të Ilindenit në Meçkin Kamen”, thanë në kumtesën e përbashkët shoqatat gjegjëse.

E më pas vijoi vendimi i redaktorit programor ta paraqesë rastin në Komisionin e Etikës, i cili veproi në rastin e gazetares Marija Kostovska, e cila me vite e manifeston përkatësinë e saj partiake dhe e njëjta ishte e dukshme në punën e saj ne TVM.

Servisi radiodifuziv holandez RTL News vazhdimisht pranon ankesa nga qytetarët. Ata në dokumentet e tyre të brendshme u rekomandojnë gazetarëve që në punën e tyre doemos duhet t’i marrin parasysh ankesat e publikut. Ankesat mund të dërgohen në formë elektronike apo me postë, kurse servisi publik u përgjigjet të gjitha ankesave. Presioni për të qenë i saktë, përgjegjës dhe profesional është i madh, kurse për RTL News transparenca është po aq e rëndësishme, saqë gazetarët duhet bashkëngjitin edhe dokumentet e tyre dhe dëshmitë tjera me qëllim që qytetari të kuptojë se si janë përgatitur lajmet dhe artikujt gazetaresk.

Nëse servisi ynë publik i përgjigjet presionit dhe kërkesave të qytetarëve, standardet do të fillojnë të rriten. Por, për të ndodhur kjo gjë, RTVM do të duhet doemos të ofrojë këtë opsion në mënyrë transparente dhe inovative.

Se qytetarët gjithnjë e më shumë interesohen për etikën në mediume, flet edhe numri i paraqitjeve nga qytetarët në Këshillit e etikës ku, siç thonë, çdo vit rritet gjithnjë e më shumë.

“Pajtohemi që Komisioni i etikës pranë RTVM nuk është i dukshëm sa duhet, por se nevojitet edhe atë si. Servisi publik është jashtëzakonisht i rëndësishëm në të gjitha shtetet me standarde të larta në sferën e mediumeve dhe gazetarëve. Edhe përpos kontrollit të shoqatave ekzistuese respektive, ai duhet të ketë edhe mekanizëm personal për kontroll në respektimin e Kodit të gazetarëve”, thotë kryetarja e Këshillit të Etikës, Katerina Sinadinovska.