Remzije Shahini-Hoxhaj është pedagoge në Universitetin e Prishtinës, ku ligjeron Etikë Mediatike dhe lëndë të tjera të gazetarisë. Ne biseduam me të në Shkup për gjendjen e dezinformatave në Kosovë dhe sesi publiku, politika dhe mediat atje po merren me këtë fenomen, dhe u përpoqëm të zbulonim se kush është në shkallë më të madhe fajtori për përhapjen e dezinformatave në këtë vend, shkruan Vërtetëmatësi.
Cilat janë llojet më të zakonshme të manipulimit dhe dezinformatave mediatike në vendin tuaj? A janë ata politike apo komerciale, kush qëndron pas tyre, partitë politike apo gazetarët?
Në fakt, ekzistojnë lloje të ndryshme, mund të jetë gjysmë të vërteta dhe informacione të pasakta, dezinformata apo edhe lajme të rreme, por ndonjëherë përdoret dhe satira si pjesë e keqinformimit të njerëzve. Kjo varet. Kryesisht keqpërdorimi i informacioneve përdoret gjatë fushatave politike, kemi parë gjatë zgjedhjeve të fundit, gjatë fushatës politike, partitë politike dhe kandidatët kanë dezinformuar për të dëmtuar imazhin e politikanëve apo partive të tjera, por ndonjëherë lajmet e rreme përdoren vetëm për klikime, vetëm për të fituar më shumë vizitorë, më shumë klikime në faqen e tyre.
Cilat media i përdorin politikanët për të përhapur dezinformata? A i përdorin mediat që partitë i kanë krijuar apo media ekzistuese?
Tani gjërat kanë ndryshuar që nga zgjedhjet e fundit në 2014 dhe 2017. Në zgjedhjet lokale, shumica e politikanëve përdorin Facebook-un që është shumë i përhapur në Kosovë dhe mendoj se ka afërsisht 1.5 milion njerëz që kanë llogari aktive në Facebook, kështu që është një nga mediat më të përshtatshme sociale për nevojat e politikanëve. Disa përdorin Twitter, por përmbajtja është në anglisht, sepse përdoret për audiencë të huaj, jo lokale.
Kush i përhap këto dezinformata në Facebook? A po flasim personalisht për politikanët, apo profile të rremë ose influencues, të njëjtët njerëz gjatë gjithë kohës, apo ka ndonjë rreth më të gjerë?
Unë nuk mendoj se politikanët vetë krijojnë dhe përhapin lajme të rreme. Ato shpesh shpërndahen përmes profileve të rreme, mediave apo mediave të rreme të krijuara për atë qëllim, por shumë shpesh mediat, madje edhe mediat e njohura si “Bota Sot” apo ndonjë tjetër, janë viktima të lajmeve të rreme. Ata nuk mund të vlerësojnë dhe të identifikojnë nëse burimi është i besueshëm apo jo.
A ka ndonjë shoqatë gazetarie në Kosovë dhe a po bëjnë ndonjë gjë për të ndaluar rrjedhën e dezinformatave? A janë aktivë?
Po, shoqatat e gazetarisë janë shumë aktive, madje organizojnë konferenca dhe seminare dhe luftojnë në mënyra të ndryshme. Ekzistojnë mekanizma të tjerë për të luftuar lajmet e rreme, siç jemi ne në Universitet duke u munduar të edukojmë gjeneratat e reja, ata që përgatiten për tregune e punës të mos jenë viktimat e lajmeve të rreme dhe të mos përhapin lajme të rreme, dhe ka dhe aktorë të tjerë të tillë si OJQ-të, sepse kjo po bëhet një trend global dhe njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm çka është lajmi i rremë, si mund ta identifikojnë. Edhe organizatat ndërkombëtare investojnë dhe financojnë në projekte që merren vetëm me këtë çështje.
A po bën Qeveria ndonjë gjë për të ndaluar rrjedhën e lajmeve të rreme, a ka ndonjë program apo veprim nga Qeveria në lidhje me këtë?
Unë nuk jam shumë e sigurt për vetë Qeverinë, por nëse marrim parasysh, për shembull, Komisionin e Pavarur të Mediave të zgjedhur në Parlament, atëherë indirekt mund të themi se ata janë të përfshirë, por nuk jam në dijeni drejtpërdrejt nëse ata po bëjnë ndonjë gjë. Ajo që pashë kohët e fundit ishte një fushatë ndërgjegjësimi se si mos të bëhesh viktimë e lajmeve të rreme, por nuk jam i sigurt nga cila ministri.
Cili është roli i Komisionit të Pavarur për Media, çfarë bëjnë ata dhe a është i përbërë nga gazetarët?
Në fakt, ne kemi dy organe rregullatore. Ne kemi një Komision të Pavarur për Media që merret me media elektronike dhe kemi Këshillin e Shtypit që punon me mediat e shtypura. Ne kemi një numër të madh të portaleve në internet dhe agjencive të lajmeve që janë vetëm në internet. Disa nga të përditshmet e njohura që kanë kaluar në internet janë pjesë e Këshillit të Shtypit, por shumica e portaleve në internet që përpiqen të pasurohen përmes këtij profesioni, nëse mund të them kështu, duke mos i respektuar rregullat ose veprojnë si ata duan. Nëse ato akuzohen nga Komisioni i Pavarur për Media që merret me media elektronike, atëherë ata do të thonë që ne jemi media të shtypura dhe nuk është përgjegjësia juaj të merreni me ne. Nga ana tjetër, nëse akuzohen nga Këshilli i Shtypit, ata do të thonë se janë media elektronike, sepse ka mungesë të vetë-rregullimit të mediave në internet. Komisioni i Pavarur për Media merret me rregullimin e transmetuesve të shërbimeve publike, duke lëshaur frekuenca për të gjithë transmetuesit në Kosovë dhe ka bërë një punë të shkëlqyeshme duke filluar këtë vit për sa i përket vetëdijes mediatike. Me siguri do të fillojnë një fushatë të ndërgjegjësimit publik nëpërmjet transmetuesve publik me qëllim edukimin e opinionin për atë se sa të rëndësishme janë mediumet në kohën e sotshme.
Po në lidhje me gjykatat, a ka gjykime në lidhje me gjuhën e urrejtjes, për shembull, nëse shkaktohet rrezik i përgjithshëm si rezultat i përhapjes së lajmeve të rreme, a jeni në dijeni të gjykimeve të këtij lloji nga gjykatat?
Mosmarrëveshjet në lidhje me lajmet dhe gazetarët konsiderohen civile, kështu që merr shum’ë kohë që lëndët të procesohen. Shumica e sanksioneve janë, siç thashë, nga Këshilli i Shtypit dhe Këshilli i Pavarur i Mediave dhe janë vetëm gjoba. Kohët e fundit kishte një rast me një politikan, mendoj se ai ishte anëtar i njërës prej partive, i cili akuzoi njërën nga gazetat për përhapjen e dezinformatave dhe shpifjeve dhe mori një shumë të konsiderueshme të parave si dëmshpërblim.
Si është e prezentuar Maqedonia në mediat e Kosovës, a ka shumë dezinformata për Maqedoninë?
Duhet të shohim dy këndvështrime se si Maqedonia paraqitet në mediat e Kosovës, sepse ju e dini që ne kemi një pakicë shqiptare që jeton në Maqedoni. Kështu që shumica e lajmeve të përditshme që vijnë nga Maqedonia kanë të bëjnë me shqiptarët që jetojnë këtu. Kur bëhet fjalë për bashkëpunim dypalësh dhe marrëveshje qeveritare dhe shkëmbime politike, unë mendoj se ne e shohim Maqedoninë si një mbështetës të madh dhe një nga vendet fqinje më të besuara në rajon. Pavarësisht se cila Qeveri është në pushtet, ne e shohim Maqedoninë si një mbështetëse. Nuk do të thoja se ka një dezinformim të dëmshëm, mund të jetë më shumë si informacione të pasakta të shpërndara tashmë në rajon, gjëra të tilla si Xhorxh Uashington është me origjinë shqiptare ose diçka që nuk është e dëmshme dhe nuk ka qëllime politike. Nga pikëpamja politike, nuk ka dezinformata të krijuara qëllimisht.