Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dënon ashpër kërcënimet ndaj gazetares së TV21, Almedina Ismajli të dërguara nga Neshat Ademi i cili ishte anëtar i Aleancës për Shqiptarët. Para dy ditësh gazetarja Ismajli ka përgatitur kronikë në të cilën ka përmendur Ademin pasi që ai në profilin e tij në Facebook shkroi se është duke braktisur AA-në. Pas publikimit të kronikës gazetarja Ismajli ka pranuar një thirrje telefonike gjatë të cilës Ademi i është kërcënuar.
Rasti ishte i paraqitur në polici gjatë ditës së djeshme, ndërsa kërcënuesi sot ka qenë i thirrur në polici. Fatkeqësisht, sipas informatave tona, institucionet kanë vlerësuar se nuk ka pasur elemente të mjaftueshme për të ngritur akuzë kundër Ademit dhe i bënë vetëm vërejtje me gojë.
Përkujtojmë se institucionet vetëm duke i sanksionuar sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve do të mund të parandalojnë raste të ngjashme të mos përsëriten në të ardhmen. Shteti është i obliguar të sigurojë sistem efikas për të parandaluar dhe dënuar dhunën mbi gazetarët. Ky është parakushti kryesor për të përmirësuar gjendjen e lirisë së shprehjes.
Brengos fakti që për një kohë të shkurtër, brenda një muaji, janë regjistruar disa sulme dhe kërcënime mbi gazetarët. Edhe më shumë brengos trendi i rritjes së kërcënimeve ndaj femrave gazetare në vend. Apelojmë që të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare të dënojnë kërcënimet ndaj gazetarëve dhe të dërgojnë porosi për qetësi në periudhën që vjen.