Vitin e kaluar në Maqedoni janë regjistruar gjithsej 18 sulme ndaj gazetarëve, nga të cilat 13 kanë qenë sulme fizike dhe verbale, ndërsa të tjerat janë ofendime, pengesë gjatë punës dhe shkatërrim i pronës, thuhet në Raportin për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Maqedoni për vitin 2017, të cilin sot e prezantoi Shoqata e gazetarëve.
– Javën e kaluar në Maqedoni gazetarët ishin të shantazhuar, të përndjekur, të rrahur, kanë marrë kërcënime me vdekje, u shpallën tradhëtarë. Dhunuesit fizikisht dhe verbalisht i sulmojnë gazetarët sepse duan t’i frikësojnë dhe t’i heshtin me qëllim që publiku të mos kuptojë për keqpërdorimet e pushtetit – tha kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Ai shprehu brengosje për faktin që prokuroria deri tani nuk ka ngritur asnjë padi pranë gjykatave për dhunë kundër gazetarëve dhe për gjuhë të urrejtjes.
Selmani thekson se sulmi më brutal fizik ndaj gazetarëve u krye gjatë dhunës në Kuvend më 27 prill.
– Këta dhunues fizikisht i sulmuan gazetarët dhe kamermanët dhe i penguan të raportojnë nga Kuvendi. Me këtë rast ua morën dhe ua dëmtuan kamerat dhe celularët. Përveç kësaj, disa prej tyre, nën kërcënim edhe të armëve, me orë u mbajtën peng, dhe gjatë kësaj policia nuk u ofroi asnjë mbrojtje – thotë Selmani.
Si burim i dhunës në vitin 2017, Selmani thekson se 95 për qind e sulmeve janë kryer ose kanë qenë të motivuara nga pushteti paraprak i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja. Sipas tij, brengos fakti që edhe pas ndryshimit të pushtetit prokuroria nuk tregon interesim më të madh për procesimin e këtyre sulmeve.
Në raportin periodik të grupit të ekspertëve të udhëhequr nga Pribeja të shtatorit të vitit 2017 për këtë temë thuhet se “Edhe pse ka raporte për maltretime, kërcënime dhe dhunë mbi gazetarët, thuhet se organet kompetemente nuk hulumtojnë, nuk i padisini ose nuk i dënojnë autorët me çka lihet përshtypje se nuk ka dënime. Mbrojtja e gazetarëve nga mosndëshkimi i i autorëve duhet të jetë prioritet, për shkak se sulmet ndaj gazetarëve që e kryejnë punën e tyre në esencë janë sulm mbi vlerat themelore të një vendi demokratik”.
Në raportin e SHGM-së konstatohet se përveç mungesës së sigurisë në punë, gazetarët në Maqedoni punojnë në kushte jashtëzakonisht të këqija ekonomike. Ata kanë rroga të vogla dhe nuk i marrin ato rregullisht, e nuk kanë as kontrata për punësim të përhershëm gjë që ndikon negativisht në pavarësinë e tyre profesionale.
Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, “Аgora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.