Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punëtorëve të mediave (SPGPM) përsëri sot u ka bërë thirrje institucioneve që të reagojnë ndaj kërcënimeve të cilat Emil Jakimovski ua drejton gazetarëve. Pas kërcënimeve ndaj gazetares së A1on Meri Jordanovska, ai, siç raportohet, dje ka dërguar kërcënime edhe ndaj sigurisë së Iskra Koroveshovskës, redaktore në “TV Alfa”, njofton Portalb.mk.
“Më herët Jakimovski postoi në profilin e tij në Facebook përmbajtje të papërshtatshme në lidhje me Koroveshovska për të diskredituar atë, duke përdorur fjalë të papërshtatshme dhe tejet fyese. Duke pasur parasysh se brenda disa ditësh, më tepër gazetarë kanë raportuar se kanë marrë kërcënime nga i njëjti person, SPGPM kërkon nga MPB dhe PThP-ja që të ndërmarrin masa urgjente për këto sulme dhe kërcënime ndaj gazetarëve, pasi në të kundërt mos-sanksionimi i kërcënimeve do të thotë edhe inkurajim për të gjithë të cilët mendojnë se në atë mënyrë mund të trajtojnë gazetarët”, thuhet në komunikatë.
SPGPM i inkurajon gazetarët dhe punonjësit e mediave që kërcënime të tilla, maltretime në internet, fyerje dhe sulme menjëherë të raportojnë te sindikata, si dhe institucionet përkatëse sepse, siç theksohet, vetëm me reagim të përbashkët dhe të unifikuar mund të bëhet presion më të madh mbi institucionet që ato të reagojnë. Ndërsa publikimi i rasteve të tilla, nga ana tjetër, është dëshmuar si mënyrë për të dekurajuar ata, të cilët në mënyra të ndryshme përpiqen të heshtin gazetarët.
“Siguria e gazetarëve dhe punonjësve të mediave është me rëndësi thelbësore për lirinë e mediave, pasi që nuk mund të ketë profesionalizëm dhe objektivitet nëse punohet në atmosferë frike. Prandaj SPGPM e ka hapur një linjë telefonike falas për ndihmë në raste të sulmit ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave dhe u bën thirrje të gjithëve të cilët janë nënshtruar ndaj çfarëdo kërcënimi, maltretimi në internet, sulme fizike ose verbale që menjëherë t’i raportojnë në 0800 11 011”, thuhet në komunikatën e SPGPM.