Drejtoresha e Regjistrit Qendror, Marija Boshkovska – Janakovski ka miratuar vendim për ndalim të marrëdhënies së punës për personin Emil Jakimovski, për shkak se ashtu siç kumtuan nga ky institucion, shkelje thelbësore të dispozitave të marrëveshjes kolektive të Regjistrit Qendror, gjegjësisht i ka kërcënuar dy gazetare, drejtoreshën e Regjistrit dhe të punësuarit njofton Portalb.mk.
Jakimovski, nëpërmjet internetit i ka kërcënuar gazetaret Meri Jordanovska dhe Iskra Koroveshovska, por edhe drejtoreshën e Regjistrit Qendror dhe të punësuarit në këtë institucion.
“Emil Jakimovski i ka shkelur dispozitat e marrëveshjes së tij për punësim, sipas të cilave, edhe pse i punësuari e ka pasur obligim që ta ruaj reputacionin e institucionit, megjithatë i njëjti nuk është përmbajtur dhe i ka dëmtuar interesat e punëdhënësit, nuk është sjellë në mënyrë profeisonale ndaj të punësuarve tjerë dhe palëve, por edhe nuk e ka respektuar hierarkinë dhe Kodin e Sjelljes, rregullat e shkruara dhe disiplinën”, kumtuan nga Regjistri Qendror.
Pas publikimit të kërcënimeve nga Jakimovski ndaj gazetarëve, ka pasur reagime dhe kërkesa nga shoqatat e gazetarëve dhe asociacioneve, ndërkaq ministri i MPB-së, Naqe Çulev ka kërkuar që rasti të paraqitet në SPB – Shkup dhe të dorëzohen prova materiale me qëllim që urgjentisht ta procesuojnë rastin në Prokurorinë Themelore Publike.
Paraprakisht, nga Regjistri Qendror kanë informuar se për Jakimovskin është hapur procedurë disiplinore, por nuk ka pasur vendim pasi që disa muaj i njëjti ka qenë në pushim mjekësor.
Nga MPB kanë njoftuar se ka pasur shumë paraqitje nga të punësuarit për shkak të kërcënimeve nga ky person, ndërkaq paraqitje ka dorëzuar edhe drejtoresha Boshkovska.
Nga Regjistri Qendror informuan se faqja zyrtare e tyre në FB është hakuar dhe kanë apeluar te qytetarët që t’i injorojnë përmbajtjet e publikuara në atë faqe, pasi që nuk janë qëndrime të tyre.