Presidenti Stevo Pendarovski është takuar me delegacionin e Asociacionit Mediatik të Televizioneve Private Nacionale në Maqedoni, informuan nga kabineti i tij. Ky takim ka ardhur me rastin e ndryshimeve të propozuara për Ligjin për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, me të cilët rregullohet mënyra e rregullimit të serviseve programore të radiodifuzerëve të brendshëm dhe të jashtëm nga ana e operatorëve.
Përfaqësuesit e televizioneve nacionale presidentit Pendarovski i kanë thënë se ndryshimet e propozuara në ligj për të janë tërësisht të pranueshme dhe presin që të miratohen në Kuvend.
“përfaqësuesit e 5 televizioneve nacionale i kanë transmetuar argumentet, faktet dhe qëndrimet e mediave të tyre në lidhje me procedurën e filluar në Kuvend për propozim – ligjin për ndryshim dhe plotësim të ligjit për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale”, thuhet në kumtesën e Kabinetit të presidentit.
Me ndryshimet e reja, operatorëve të telekomit u mundësohet që t’i transmetojnë kanalet televizive të brendshme dhe të huaja në mënyrë dhe kushte të rregulluara me nenin 143 të Ligjit, gjegjësisht me të drejta autoriale dhe të televizionit.
Presidenti Stevo Pendarovski gjatë ditës së djeshme, në temën e njëjtë kishte takim informativ edhe me përfaqësuesit e operatorëve të telekomit në të cilin ishte i njoftuar edhe me qëndrimet e tyre. Për dallim prej televizioneve, operatorët dolën me qëndrim se nuk pajtohen me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale.