Vëzhguesit e CIVIL çdo ditë regjistrojnë postimet që në mënyrë të organizuar shpërndahen në faqet e FB me sa duket me emra të organizatave apo nismave. Pastaj, nga ato faqe të FB-së, përmbajtja dhe mesazhet përhapen nga profile, shpesh anonime, të afërta me strukturë të caktuar politike.
“Këto manipulime dhe aktivitete propagandistike nuk u drejtohen vetëm kundërshtarëve politikë. Ata shpesh kanë në shënjestër edhe aktorë tjerë, jopartiak – gazetarë dhe media, organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë, ekspertë të shquar në fusha të ndryshme, ndaj qytetarëve dhe qytetareve që nuk kanë asnjë lidhje me entitetet e përmendura, por kanë pas guxim që të shprehin pikëpamjet e tyre personale. Të gjithë ata janë në shënjestër të fjalës së urrejtjes nga strukturat e partive lokale.
Edhe vetë CIVIL ishte në shënjestër të gjuhës së urrejtjes, por edhe të vandalizmit në këtë javë të parë të fushatës. Qëllimi i kësaj ndjekje të organizuar është të diskreditojë gjetjet dhe analizat e organizatës, në mënyrë që të mund të vazhdohet pandërprerë me një fushatë destruktive dhe antidemokratike. Marrëveshja e Prespës, kriza e koronavirusit, integrimi në BE dhe NATO, reformat në sektorët kryesorë të vendit, por edhe Revolucioni i Larëm janë tema kryesore në strukturat që përhapin lajme të rreme, dezinformata dhe gjuhë të urrejtjes këto ditë.” thuhet nga CIVIL.
Shpërndarja e organizuar e dezinformatave dhe lajmeve të rreme kryhet çdo ditë, përmes fotomontazheve dhe informacioneve të fabrikuara plotësisht. Për shembull, ekipi monitorues i CIVIL më 28 qershor zbuloi lajme të rreme për punësimin e supozuar të shqiptarëve në BAP Shtip, pasi në rrjetet sociale u shfaq një lajm i rremë pretendues “Vendim për zgjedhjen e kandidatëve për punësim në BAP Shtip”, të cilin qytetarët e Shtipit filluan menjëherë ta shpërndajnë dhe ta komentojnë, duke besuar se ishte një lajm autentik.
Dhe, siç thamë, të gjitha këto kanë për qëllim nxitjen e urrejtjes, duke rezultuar në qindra postime të tjera, komente plot urrejte dhe thirrje për dhunë, e madje edhe vrasje.
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.