Këshilli për etikë në mediat në Maqedoni (KEMM) reagon ndaj tendencës së mediave ditëve të fundit të spekulojnë me numrin e qytetarëve të infektuar dhe të vdekur rishtazi si rezultat i koronavirusit.
“Kujtojmë në nenin e parë të Kodit të gazetarëve që imponon se informacionet duhet të jenë të sakta dhe të verifikuara. Duke pasur parasysh se bëhet për lajme jashtëzakonisht të ndjeshme që ndërlidhen me shëndetin dhe jetën e qytetarëve, përgjegjësia gjatë informimit duhet të jetë maksimale, ndërsa qasja duhet të jetë profesionale dhe e liruar nga sensacionalizmi ose beteja për ekskluzivitet”, thanë ata.
Në të njëjtën kohë, KEMM u bën thirrje autoriteteve të ndalojnë informatat jozyrtare që absolutisht nuk ndihmojnë në krijimin e një diskursi publik të shëndoshë dhe me përgjegjësi.
“Situata në të cilën gjendemi kërkon një qëndrim serioz ndaj procesit të informimit të popullatës nga të gjithë aktorët përgjegjës për komunikim, pa improvizime dhe pa spekulime, e në konsultim dhe duke cituar burime rreptësisht zyrtare në lidhje me numrin e të infektuarve dhe të vdekurve”, thuhet në komunikatë.
KEMM i bën thirrje publikut, kolegëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe institucioneve që të reagojnë duke paraqitur ankesa në Zyrën tonë sa herë që do të hasin në një produkt gazetaresk që ata konsiderojnë se është jashtë standardeve profesionale.