Me përfshirjen e edukimit medial ne kurrikulumet shkollore, të rinjtë do të mund të bëjnë dallimin mes lajmeve vërteta dhe atyre të rreme, potencoi Ministri i Arsimit, Arbër Ademi në debatin e organizuar sot në Shkup në lidhje me përfshirjen e edukimit medial në arsim.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Institutin për Media sot në Shkup organizuan debat ku u fol për rëndësinë e përfshirjes të edukimit medial në arsim.
Në kurrikulumet aktuale ekziston lënda e kulturës mediale dhe medias në përgjithësi, por mungon ajo e edukimit mediatik, u tha sot gjatë debatit për këtë ku panelist ishin Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, Ministri pa resor i angazhuar për komunikim dhe transparencë Robert Popovski si dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian.
Në këtë debat të pranishëm ishin edhe mësimdhënës bashkë me nxënësit e tyre, ata venduan në theks çështjen e rritjes të numrit të mediumeve online të cilat shpesh herë keq-informojnë, kurse aftësitë e të rinjve për të provuar se sa i saktë është një lajm, janë të vogla si pasojë e mungesës të edukimit medial si lëndë e veçantë në procesin arsimor.
Ademi tha se janë të interesuar që edukimi medial të përfshihet si lëndë e posaçme në arsimin e mesëm, sepse sipas tij mediumet ndikojnë në krijimin e percepcioneve të individëve.
“Jemi të interesuar që sistemin arsimor vazhdimisht ta freskojmë me përfshirjen e trendeve dhe zhvillimeve botërore. Edukimi medial është shumë i rëndësishëm sepse nga kjo varet sa do të jenë individët të aftë të bëjnë dallimin mes lajmeve të sakta dhe atyre të rreme sepse pikërisht këto lajmë ndikojnë në krijimin e qëndrimeve dhe bindjeve tona. Marrë parasysh numrin e madh të mediumeve, kjo është çështje prioritare për ne dhe pse jo edhe të kemi lëndë të posaçme për arsimimin mediatik” tha Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi.