Duke filluar nga ky muaj, Shoqata “Multikultura” për gjashtë muaj radhazi do të organizoje aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me arsimimin mediatik të të rinjve. Ata thonë se fuqia e mediumeve shpesh herë mund të ndikojë keq te të rinjtë, të cilët nuk janë të arsimuar mjaftueshëm për të identifikuar se a është një lajm i vërtetë apo i rrejshëm, shkruan Portalb.mk.
Sot në Tetovë u prezantua projekti i cili implementohet nga Shoqata “Multikultura” dhe portali “Bon Zo” i përkrahur në kuadër të projektit “Mendimi kritik për qytetarë me shkathtësi mediatike-Krithink”, i cili implementohet nga Fondacioni Metamorphosis dhe Eurothink-Qendra për strategji evropiane, financuar nga Bashkimi Evropian.
Në projektin afatgjatë janë paraparë një sërë aktivitetesh, edhe atë duke filluar nga ky muaj do të organizohen gjashtë punëtori me nxënës të shkollave të mesme, kampanjë online për atë se si të bëhet identifikimi i lajmeve të rrejshme, 3 video informative kurse për fund do të përgatitet një dramë me këtë tematikë e cila do të ketë për qëllim ngritjen e vetëdijes të qytetarëve për këtë problematikë.
Nga Multikultura potencojnë se përmes këtij projekti kanë për qëllim të kontribuojnë në zhvillimin e mendimit kritik në rajonin e Pollogut përmes edukimit të të rinjve për edukimin mediatik.
“Projektin e kemi titulluar Për të rinj me mendim kritik me qëllim që të kontribuojmë në zhvillimin e mendimit kritik në rajonin e Pollogut përmes edukimit të të rinjve për edukimin mediatik. Në kuadër të këtij projekti do të organizohen disa aktivitete të cilat do i bëjnë të rinjtë më të aftë për të analizuar dhe kritikuar informatat të cilat i pranojnë, dhe që të mos jenë pranues pasiv të informatave të cilat u serohen në rrjetet sociale”- tha koordinatorja e projektit Egzona Abdi.