Sot në Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele () në Shkup, u takuan zv/kryeministri për Çështje Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe drejtori i të Agjencisë ASHMAA, Zoran Trajçevski. Në takim u shqyrtua rëndësia dhe ndikimi i mediave në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit duke theksuar rolin e tyre në garantimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike, njofton Portalb.mk.
“Ia përcollëm mesazhin edhe zv/kryeministrit se ASHMAA posedon kapacitetin e duhur për t’i zbatuar aktivitetet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.Ne garantojmë se zbatimi i Kodit Zgjedhor nga agjencia do të jetë në nivelin më të lartë. Do të theksohet edhe në raportet e OSBE-së dhe të gjithë vëzhguesve se agjencia do të jetë një nga aktorët pozitiv në shoqëri” tha drejtori i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-Vizuele, Zoran Trajçevski.
Nga ana tjetër, Osmani u shpreh se qëllimi primar i tyre është të krijojnë të gjitha parakushtet për zgjedhjet.
“Këto vizita i bëj me qëllim që t’i aktivizojmë dhe inkurajojmë institucionet kompetente për t’i kapur të gjitha aspektet e mbulimit të zgjedhjeve që asgjë të mos na gjejë të papërgatitur. Procesi zgjedhor do të jetë çelës për të hapur derën e fillimit të bisedimeve dhe ne nuk guxojmë të rrezikojmë këtë çelës i cili varet nga sjellja e partive politike në raport me zgjedhjet parlamentare, nga sjellja e institucioneve kompetente për monitorimin e procesit zgjedhor” tha zv/kryeministri Bujar Osmani.
Ai tha se rëndësia e ASHMAA është e veçantë sepse ka nën kontroll fushën mediatike.
“Andaj është me rëndësi që të gjithë të kryejnë në nivel detyrat e reja dhe ne si qeveri të sigurojmë parakushte dhe kapacitet që të mos ketë parregullsi në sektorin mediatik” u shpreh Osmani.
Këto janë zgjedhjet e para parlamentare në të cilët do të ketë mënyrë të re të financimit të fushatave politike.
LEXO: Disa gjëra të rëndësishme që duhet t’i dini për financimin e fushatave zgjedhore mediatike të partive politike
Përndryshe, takimi i krerëve të Bashkimit Evropian për çështjen e RMV rreth datës për në Bashkim Evropian është caktuar për me 26 mars, gjegjësisht ditën e katër të fushatës zgjedhore.