Shteti sërish mbetet një ndër reklamuesit më të mëdhenj në media, me çka hapet mundësia që partitë politike të ndikojnë në mënyrën e raportimit të gazetarëve. Prej vitit 2015-të, kur nën trysninë e shoqatave gazetareske dhe faktorit ndërkombëtar, Qeveria e Nikolla Gruevskit u obligua që të shpallë moratorium të reklamimit qeveritar, dy vitet e fundit sasia e parave publike në media në forma të ndryshme në mënyrë rapide po rritet, shkruan Observatori Mediatik.
Nëse në vitin 2018-të janë harxhuar rreth 1 milion euro për fushatë mediatike për referendumin për emrin, në vitin 2019-të vëllimi i parave publike në media është rritur thuajse trefish dhe arrin në 4 milionë e gjysmë euro. Nga kjo shumë 3.75 milionë euro janë para për fushatë mediatike të zgjedhjeve presidenciale dhe diçka mbi 700 mijë euro subvencione për media të shtypit për harxhimet e tyre në vitin 2018-të.
https://e.infogram.com/js/dist/embed.js?TRr
Sipas raportit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për fushatën mediatike të zgjedhjeve presidenciale, prej mjeteve të parashikuara dhe të paguara (rreth 3.75 milionë euro) për propagandë politike të partive mbi 80% ose mbi 3 milionë euro janë harxhuar për reklamim në pesë televizionet nacionale, katër në nacionale kabllore, por edhe në televizionet më të mëdha rajonale dhe lokale. Më pak se 1 milion euro janë ndarë për radio, media të shtypit dhe portale.
Pesë televizionet nacionale kanë marrë rreth 2 milionë euro. Prej asaj shume më së shumti ka marrë TV “Sitel” rreth 564 mijë euro, “Kanal 5” dhe “Alsat M” nga rreth 400 mijë euro, “Telma” rreth 250 mijë euro, ndërkaq “Alfa” rreth 150.000 euro.
https://e.infogram.com/js/dist/embed.js?EHV
Në televizionet kabllore nacionale, kandidatët presidencial kanë harxhuar rreth 700 mijë euro. Më së shumti para nga ky kulaç ka marrë “TV21” – 250 mijë euro, “24 Vesti” 200 mijë euro, “Klan Maqedoni” mbi 150 mijë, ndërkaq “Shenja” më pak se 50 mijë euro.
Rreth gjysmë milionë euro janë harhxuar për reklamim politik në televizionet lokale dhe rajonale. Prej këtyre më së shumti kanë fituar “TVM” – 100 mijë euro, ndërkaq nga rreth 50 mijë euro kanë fituar “Star”, “Koha” dhe “Vis”.
Mjetet tjera janë harxhuar në radio, gazeta dhe portale.
Shqetëson fakti që vlera prej 4.5 milionë euro në media këtë vit mund të rritet. Sipas paralajmërimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, për në pranverë janë ndarë rreth 4 milionë euro, por ajo vlerë mund të rritet madje deri në 6.5 milionë euro, i cili është kufiri për harxhimin e parave shtetërore në fushata mediatike. Nëse realizohen këto parashikime, përfshirë edhe shumën rreth 700 mijë euro për subvencionim të mediave të shtypit, në vitin 2020, paratë publikë në media mund të rriten në 7.3 milionë euro.
Kjo vlerë e parave të harxhuara në media është shumë më e lartë se qeveria e Gruevskit që harxhonte për fushata qeveritare nga vitit 2008-të deri në vitin 2015-të. Sipas të dhënave që i ka prezantuar qeveria aktuale, për shtatë vite, pushteti i atëhershëm ka harxhuar gjithsej 38 milionë euro, që në mesatare i bie rreth 5.5 milionë euro në nivel vjetor. Në këtë shumë hyjnë edhe 15 milionë eurot për incizimin dhe prodhimin e spoteve për politikat qeveritare. Vetëm blerja e kohës në mediat elektronike ka pasur vlerë prej 23 milionë euro ose vetëm për në televizione janë ndarë rreth 2.9 milionë euro. Sipas një hulumtimi tjetër, të bazuar në pagesën nga arka e shtetit në periudhën prej 2010 deri në 2017-të janë shpërndarë para publike në media rreth 3.2 milionë euro në nivel vjetor.
Në këtë shumë nuk janë llogaritur paratë që komunat dhe ndërmarrjet publike i harxhojnë në media, veçmas në ato lokale dhe rajonale, dhe gjatë kohës së fundit edhe në mediat online.
Në ShGM dyshojnë se shuma e parave të komunave në media është më e lartë
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë për të tretën vit me radhë i ndjekë se sa para komunat harxhojnë në media. Vitin e kaluar, 43 komuna kanë harxhuar rreth gjysmë milion euro në media të ndryshme. Kjo e dhënë nuk është përfundimtare pasi që thuajse gjysma e komunave kanë refuzuar të ndajnë informata për paratë e investuara në media. Prej këtu ShGM dyshon se vlera e parave të komunave në media është më e madhe.
Nga komunat që kanë dorëzuar të dhëna deri te ShGM, më së shumti para për vitin 2019-të ka harxhuar Manastiri, mbi 60 mijë euro, Gjevgjelia rreth 30 mijë euro, Gostivari më pak se 20 mijë euro. Rreth 10 mijë euro ka harxhuar Kumanova, Karposhi, Kisella Voda dhe të tjerat.
Paratë e komunave për media i harxhojnë për parapagimin e gazetave, blerjen e hapësirë për reklamim, marrëveshje për pjesëmarrje në manifestime, shërbime marketingu. Është interesante që ata mediave lokale dhe rajonale u paguajnë edhe për publikimin e shpalljeve dhe kumtesave, por edhe për publikimin e urimeve.
Thuajse te të gjitha komunat, pjesa më e madhe e mjeteve për financim të mediave janë të alokuara për shtëpinë më të madhe mediatike në komunë. Përveç me mediat, komunat nënshkruajnë marrëveshje edhe me gazetarë individual, që nuk është praktikë e zakonshme në vendet demokratike.
Mes komunave që në vitin 2019-të nuk kanë dorëzuar të dhëna për harxhimin e parave në media janë: Qyteti i Shkupit dhe komunat e Shkupit, Çair, Shuto Orizare, Qendër dhe Butel, por edhe qytetet, Ohri, Resnjë, Krushevë, Dojran, Bogdanci, por edhe tjera komuna rurale.
Komunat që tanimë për të dytin vit me radhë nuk tregojnë sa harxhojnë në media janë: Saraj, Demir Kapi, Rankovc, Ilinden, Zelenikovë, Sveti Nikollë, Çashkë, Novo Sellë, Konçe, Bosillovë, Likovë, Haraçinë dhe Bogovinë.
Mediat janë të vetëdijshme se në çdo zgjedhje mund të përfitojnë lehtë para edhe nga pushteti edhe nga opozita
Pagesa e propagandës politike në media me para publike është sjellë në korrik të vitit 2018-të, kur partitë nga pushteti dhe opozita, fshehtë dhe pa asnjë debat publik kanë votuar ndryshim dhe plotësim të Kodit Zgjedhor. Atëherë organizatat mediatike dhe gazetareske i kanë dënuar këto ndryhsime dhe paralajmëruan se ajo mund ta rrezikojë punën e mediave.
Atëherë ShGM, SPGM dhe KEMM vlerësuan se më problematik është neni 3 paragrafi 11 i cili parashikon që pjesëmarrësit në procesin zgjedhor të dorëzojnë plane mediatike për reklamimin e tyre politik nga Buxheti i shtetit.
“Kjo paraqet sulm në pavarësinë e politikës redaktuese dhe përmbajtjeve programore të mediumeve në kohën e fushatës parazgjedhore, pasi që u futet skemë programore nga ana e partive politike”, vlerësuan organizatat gazetareske.
Dhe jo vetëm ajo, nëse mediat janë të vetëdijshme se në çdo zgjedhje do të munden të përfitojnë lehtë para nga pushteti dhe opozita në bazë të reklamimit politik atëherë pritet që ata të mbajnë marrëdhënie të mira me partitë dhe të përmbahen nga kritikat në punën e tyre, pa dallim nëse janë parti të pushtetit ose opozitës.
Drejtori i ShGM-së, Dragan Sekullovski mbetet në qëndrimin se përpara dy tre vitesh, pagesa e propagandës politike në media me para publike është vazhdim i praktikës së keqe nga koha e regjimit të Gruevskit me reklama qeveritare, me dallimin e njëjtë se tani mundësi që të bëjnë propagandë politike me paratë e qytetarëve përveç pushtetit, ka edhe opozitë.
“Ato para absolutisht ndikojnë në mënyrë se si raportojnë mediat për punën e Qeverisë , por edhe të opozitës, veçmas duke e pasur parasysh se këto mjete paraqesin pjesë serioze në tregun mediatik, me të cilin sipas llogaritjeve të ShGM-së kjo është thuajse një e treta e buxhetit vjetor të radiodifuzerëve, gazetave dhe portaleve”, theksoi Sekullovski.
Ai thotë se paratë publike në mediat private e nxisin vetë-censurën dhe mediat mbeten shtetërore ose komunale.
“Gazetaria hulumtuese është rrallë e pranishme në mediat që financohen nga fushatat e partive politike. Kësi storje hulumtuese kanë disa portale dhe produksione private, të cilët kryesisht financohen nga donatorë të huaj”, thotë Sekullovski.
Sipas tij, Kodi Zgjedhor nuk garanton pluralizëm politik që lejon një parti politike ta blejë tërë hapësirën për reklama te një medium. Shembull të tillë kemi regjistruar në zgjedhjet presidenciale kur një medium onlajn ka reklama vetëm të një kandidati për president.
Ai thotë se ShGM do të vazhdojë të punojë në ngritjen e vetëdijes te opinioni se derisa ka parti politike që kryejnë sulm në tregun mediatik nuk mund të shpresojmë se mediat do të raportojnë në mënyrë objektive dhe të paanshme, në dobi të qytetarëve dhe interesit publik.
Qëndrim të njëjtë me të Sekullovskit për praninë e parave publike në media ka edhe gazetarja hulumtuese dhe ish kryetarja e Sindikatit, Tamara Çausidis, e cila vlerëson se mediat duket se nuk munden ta mbajnë ngarkesën e lirisë dhe për atë kërkojnë që vetë të jenë shërbyes si një modus në të cilin mund të ekzistojnë.
“Gazetaria si profesion me kuptimin e plotë të fjalës është bluar. Nëse më herët kemi folur se në kohën e shteti të robëruar kanë mbetur ishuj të vegjël të rezistencës dhe të lirisë sot më nuk mund të flasim për të rrallë, me të vërtetë ka përjashtime të rralla të redaksive të cilat besojnë në idenë për gazetari me integritet si të mirë publike”, thotë Çausidis.
Drejtori i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (AShMAA), Zoran Traçevski vlerëson se harxhimi i parave publike (mjeteve buxhetore) për Reklamim të Paguar Politik (RPP) është shembull që bota demokratike nuk e njeh.
Trajçevski thotë se kundër vendimit të këtillë në Kodin Zgjedhor, AShMAA disa herë ka reaguar publikisht, por edhe nëpërmjet shkresave zyrtare deri te Ministria e Drejtësisë .
“Për fat të keq deri më tani kanë mbetur të shurdhër dhe heshtin. AShMAA, për këtë qëndrim gjen përkrahje vetëm te ShGM. Harxhimi i parave publike për RPP ose mënyrë tjetër e transferimit të mjeteve drejtëpërdrejtë nga buxheti drejt mediave në mënyrë serioze e korrupton lirinë e shprehjes dhe paraqet përpjekje për blerje të favore të mediave me para të qytetarëve”, vlerëson ai.
Vërejtje serioze për harxhimin e mjeteve publike në media ka edhe KShPK
Përveç ShGM-së, rregullatori mediaik dhe gazetarët hulumtues, rrezik nga paratë publike në media sheh edhe misioni vëzhgues i OSBE-së dhe ODIHR-së. Në raportin e tyre për zgjedhjet presidenciale flasin për mjedisin e keq i cili nuk lejon raportim kualitativ gazetaresk.
“Një numër i mediave private edhe më tej financohen nga bizneset e afërta me parti të ndryshme, ndërkaq disa bashkëfolës kanë theksuar se këto mediume shfrytëzohen për qëllime politike, me vetëm disa përmbajtje mediatike, veçmas TV kanalet kryesore private”, thuhet në raportin e ODIHR-së.
Vërejtje serioze për harxhimin e parave publike në media ka edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK). Në vlerësimin e rrezikut nga korrupsioni, Antikorrupsioni paralajmëron për tregtim me ndikim që është shumë e rëndësishme gjatë krijimit të mendimit publik e cila në vend që ta nxit, e ngufat luftën kundër korrupsionit.
Madje në Strategjinë Nacionale për Parandalim të Korrupsionit kërkohet që vazhdimisht të parandalohet keqpërdorimi i mediave për qëllime politike.
“Është e nevojshme që të ketë vëzhgim të përforcuar, shfuqizim të RPP-së në ciklin zgjedhor dhe përforcim të kritereve për ndarjen e ndihmës shtetërore për mediat e shtypit”, thuhet në strategjinë e KShPK-së.
Përveç asaj, Antikorrupsioni në Strategji e thekson dhe shqetësimin që me paratë buxhetore në media shpërndahen në mënyrë jotransparente.
“Financimi buxhetor i RPP-së për fushatë zgjedhore është rrezik potencial për korrupsion dhe krijon marrëdhënie klienteliste”, thuhet në strategji.