Nga fundi i prillit “Reporterët pa kufi” publikuan raportin për gjendjen me lirinë e mediave në botë, ku Maqedonia e Veriut është e ranguar në vendin e 92, nga gjithsej 180 vende. Ata vlerësojnë se vendi ynë gjatë vitit të fundit ka shënuar përparim të vogël lidhur me lirinë e mediave krahasuar me vitin 2019, kur ishim të ranguar në vendin e 95-të.
Më keq të ranguar në indeksin e kësaj organizate të njohur joqeveritare botërore që lufton për lirinë e mediave ishim në vitin 2014, kur ramë në vendin e 123-të, në grupin e vendeve afrikane ku qeverisin regjime diktatoriale apo autoritare. Me ndërrimin e qeverisë në vitin 2017 u vërejt një përmirësim drastik prej nëntë pikësh në indeks, kur prej vendit të 118, u ngjitëm në vendin e 111, e cila kryesisht varej nga ulja e numrit të sulmeve verbale dhe fizike ndaj gazetarëve. Mirëpo, prej atëherë vazhdimisht ka përmirësim simbolik të lirisë së mediave prej dy ose tre pikëve, për shkak të mungesës së reformave të thella në media.
Krahasuar me vendet e rajonit ne më keq rangohemi se Greqia, Kosova dhe Shqipëria, ndërsa jemi më mirë se Serbia, Bullgaria dhe Mali I Zi.
Në raport pozitivisht vlerësohet heqja e reklamave të qeverisë, të cilat më para kanë shërbyer si instrument i fuqishëm për kontrollimin e mediave dhe për keqpërdorimin e fondeve publike. Mirëpo, këtë përshtypje të mirë e prish fakti që komunat vazhdojnë të reklamojnë në mediat lokale dhe ende është një mjet trysnie.
“Poashtu, ka pasur një hap të rrezikshëm nga partia në pushtet për të paguar reklama në media për tu bërë publicitet arritjeve të Qeverisë. Kjo praktikë është dënuar nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë”, thuhet në raportin për Maqedoninë Veriore.
Në raport vlerësohet pozitivisht puna e organizatave të gazetarëve dhe të mediave duke forcuar sistemin e vetërregullimit në media dhe duke përmirësuar të drejtat sociale të gazetarëve. Para së gjithashtu, përshëndetet publikimi i Regjistrit të mediave profesionale online nga Këshilli i etikës në media dhe të Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, ku bëjnë pjesë mbi 100 portale, të cilat me anëtarësimin obligohen të respektojnë parimet e profesionit të gazetarisë dhe premtojnë se kur do të gabojnë do ti pranojnë dhe publikojnë vendimet e Komisionit të ankesave të KEEM.
Si arritje tjetër pozitive vlerësohet përpilimi i një drafti për Marrëveshjet kolektive të gazetarëve dhe punëtorëve të mediave nga Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe të punëtorëve të medias në bashkëpunim me Shoqatën e gazetarëve të medias, ku përfshihet angazhimi për respektimin e të drejtave sindikale të gazetarëve, të drejtën e tyre për lirinë e fjalës, si dhe obligimi për respektimin e standardeve etike e profesionale.
“Fatkeqësisht, zyrtarë të lartë të qeverisë kanë një tendencë të theksuar t’u kërcënohen dhe të fyejnë gazetarët. Kultura e mosndëshkimit ka rrënjë të thella dhe ende është pengesë për sigurinë e gazetarëve. Numri i sulmeve fizike ndaj gazetarëve është ulur, por ekziston një praktikë në rritje për shqetësimin e gazetarëve dhe keqtrajtimin e tyre verbal përmes internetit”, thuhet në raport.
Qeveria maqedonase reagoi me kumtesë ndaj publikimit të Raportit të “Reporterëve pa kufi”, ku përshëndet përparimin prej tri vendesh në indeksin për vitin 2020 në krahasim me vitin e kaluar. Qeveria, poashtu lavdëron punën e organizatave të gazetarëve dhe të mediave, që kanë ndihmuar për këtë zhvillim pozitiv. Por, në kumtesë gabimisht është llogaritur përparimi në indeksin e “Reporterëve” për vendin nga viti 2017 prej formimit të qeverisë. Përparimi në indeks nuk është për 14 vende , por 19. Në vitin 2017 kemi qenë ne vendin e 111, ndërsa sivjet jemi në vendin e 92-të, që do të thotë se hapërimi për katër vit është për 19 vende. Nga ana tjetër edhe sqarimi për 14 vendet është gabimisht i lidhur me hyperlink, i cili nuk e vërteton progresin, por çon në “googlemaps” në rrugën Cvetan Dimov në Jahja Pashë me emrin 14 vende.
Qeveria përkujton se reklamimi qeveritar është plotësisht i ndaluar nga viti 2017 dhe se prej atëherë nuk ekziston reklamimi i qeverisë në media. Me këtë praktikisht hedh poshtë pohimet e raportit të Reporterëve se komunat reklamojnë në media dhe se me Kodin zgjedhor partitë politike nuk shpenzojnë shuma milionëshe mjete publike për publicitet politik në media gjatë fushatës zgjedhore.
Poashtu, qeveria shfajësohet nga përgjegjësia për moszbatimin e reformave në Servisin publik radioviziv, Radio televizionin e Maqedonisë dhe tërë përgjegjësinë ia hedh partisë opozitare VMRO-DPMNE, e cila bllokon procesin e zgjedhjes së drejtuesve të ri të RTM në Kuvend.
Në fund qeveria obligohet të ketë parasysh sugjerimet e “Reporterëve pa kufi” dhe premton se hapat e ardhshëm për reforma në media do të bëhen në konsultim të gjerë me ekspert nga sfera e mediave.
Mirëpo, ndaj kësaj kumtese të qeverisë, reagoi Sindikata e pavarura e gazetarëve dhe të punëtorëve të medias, e cila shpreh habinë e saj prej mënyrës se si qeveria interpreton raportin e “Reporterëve pa kufi” duke marrë sukseset e organizatave të gazetarëve në konton e saj.
SPGPM mohon se në raport përmendet përmirësimi i të drejtave sociale të gazetarëve dhe të punëtorëve të medave, por përshëndetet përpilimi i Konventës për kushtet e punës të gazetarëve dhe të propozim Marrëveshjes për punësimin e gazetarëve dhe të punëtorëve të mediave në mediat online nga SPGPM në bashkëpunim me organizatat tjera të gazetarëve.
“Nëse qeveria dëshiron të ketë sado pak përmirësim në këtë sferë, nevojiten një sërë ndryshimesh ligjore, si dhe kontroll i shtuar nëse respektohet Ligji për marrëdhënie pune”, thuhet në reagimin e SPGPM.
Sindikata e pavarur e gazetarëve edhe njëherë thekson se të drejtat e punëtorit për gazetarët dhe punëtorët e mediave janë vazhdimisht të kërcënuara dhe se gazetarët përballen me pasiguri juridike, sociale dhe ekonomike dhe me pasiguri në vendin e punës.
“Pjesa dërmuese e të ashtuquajturave media tradicionale nuk respektojnë të drejtat themelore të punëtorit, ndërsa një pjesë e madhe prej tyre në fuqi kanë ndalime të drejtpërdrejta për aktivitete sidnikale, që është në kundërshtim me Ligjin për marrëdhënie pune”, përkujton SPGPM.
Megjithatë, Sindikata përshëndet vendimin e qeverisë që në kuadër të masave ekonomike gjatë krizës me koronavirusin të përfshije edhe mediat, duke theksuar se ato nuk do të jenë të mjaftueshme nëse kriza do të zgjatet.
Në fund, sindikata përkujton se nga fillimi krizës me koronavirusin, gazetaria ka qenë njëra ndër profesionet më të prekura, e cila është një ndër hallkat e rëndësishme në luftën kundër pandemisë. Sipas tyre, gazetarët do të mund me kohë dhe saktë të informojnë qytetarët për pandeminë vetëm nëse janë të siguruar nga aspekti ekonomik dhe social.
Naser Selmani