Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë sot promovoi dy publikime. I pari ishte për sulmet mbi gazetarët që kanë ndodhur në pesë vitet e fundit dhe mban titullin: “Kronika për (pa)sigurinë e gazetarëve“. Autorë të këtij publikimi janë gazetari Zoran Ivanov dhe avokati Igor Markovski. Në këtë publikim janë të përshkruar të gjitha sulmet e regjistruara mbi gazetarët, ndërsa është dhënë edhe një përshkrim edhe për atë se si gazetarët mund ti zbatojnë të drejtat e tyre para institucioneve shtetërore.
Publikimi i dytë është i titulluar: “Sulmet mbi gazetarët dhe punonjësve mediatik më 27 prill”. Siç tregon edhe vet titulli, temë e kësaj analize janë sulmet mbi gazetarët që ndodhën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut më 27 prill. Nëpërmjet të dëshmive të gazetarëve të sulmuar dhe deklaratave të pothuajse të gjithë aktorëve politikë, autorët Dushica Mrgja, Enis Murtezi dhe Hristina Belovska u përpoqën të përshkruajnë atë që ndodhi saktësisht në atë “të enjte të përgjakshme” në tempullin e demokracisë. Vërejtja kryesore në këtë publikim i bëhet mosveprimit të gjyqësorit për sulmet mbi gazetarët, përkundër aktgjykimeve që janë bërë ndaj sulmuesve të politikanëve.
Në promocionin e publikimeve foli edhe kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski i cili tha se publiku, qytetarët dhe partitë politike duhet të kuptojnë se gazetarët nuk duhet dhe nuk guxon të sulmohen për shkak të kryerjes së detyrave të tyre profesionale.
“Nga ana tjetër, institucionet në vend, dhe para së gjithash gjyqësori duhet t’i procesojnë sulmet në afat sa më të shpejt në mënyrë që ti mbrojnë kolegët tonë prej sulmeve të ardhshme, por edhe për të mbrojtur demokracinë”, theksoi ai.
Ai shtoi se se këtë vit është regjistruar trend pozitiv në aspekt të sulmeve mbi gazetarët. “Megjithatë, vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhje parlamentare, ndërsa kjo do të thotë popull i elektrizuar, atmosferë e tensionuar në shoqëri dhe në diskursin publik dhe kjo shpesh herë sjellë dhunë mbi kolegët tanë. Apelojmë të gjithë partitë politike që betejat e tyre ti bëjnë nëpërmjet të debateve cilësore, nëpërmjet të prezantimit të programeve të tyre partiake, në vend se të shkaktojnë përleshje në rrugë dhe sulme të gazetarëve dhe opinioni kritik”, theksoi Çadikovski.
Nga ana tjetër Drejtori Ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekullovski tha se Shoqata nuk do t’i harrojë sulmet e pazgjidhura mbi gazetarët dhe punonjësit mediatik dhe do të insistojë deri në fund për pastrimin e tyre. “Në të ardhmen, do të punojmë me Ministrinë e punëve të brendshme, Prokurorinë publike dhe me gjykatat, por edhe me avokatin e popullit me qëllim që të ndërtojmë sistem institucional nëpërmjet të cilit do të garantohet siguria e punonjësve mediatik”, tha ai.